Google ADS

Mediat zvicerane shkruajnë për ndryshimin e Thaçit karshi Speciales

15:35 | 20 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Gazeta zvicerane Neue Zurcher Zeitung ka publikuar një shkrim rreth iniciativës së veteranëve të UÇK-së për ndryshimin e ligjit të Gjykatës Speciale. Kjo gazetë potencon se Presidenti Thaçi është kthyer befasisht kundër kësaj Gjykate, duke kujtuar fjalimin sulmues ndaj Perëndimit para Forcave të Sigurisë.

NZZ shkruan se shoqatat e veteranëve të ish-organizatës kryengritëse të UÇK-së duan të sigurohen që ligji për Gjykatën Speciale të kthehet në Kuvend, me arsyetimin se gjykata është antishqiptare dhe e ndytë luftën çlirimtare. Dhjetë mijë nënshkrimet do të mblidhen shpejtë, shkruan NZZ.

“Veteranët janë ndihmuar nga kreu. Në një fjalim para Forcave të Sigurisë së Kosovës”, shkruan mediumi zviceran.

NZZ shkruan se Presidenti i ka sulmuar fort shtetet perëndimore: BE e ka imponuar gjykatën duke i bërë presion të madh vendit.

Thaçi po tingëllon ndryshe

Pas shumë hezitimeve, në gusht të vitit 2015, Parlamenti e ka kaluar ligjin duke e bërë këtë Gjykatë institucion që buron nga ligjet e Kosovës.

Atë kohë, Thaçi, Ministër i Punëve të Jashtme e kishte sjellë partinë e tij para aktit të kryer. Ai u pajtua vetëm pse partneriteti me SHBA, BE dhe NATO-n po vinte në dyshim. Në fakt, shkruan NZZ, Perëndimi kërcënoi se nëse Kosova kundërshton Gjykatën e financuar nga BE atëherë do të themelohej një Tribunal nga OKB.

Por, pse kjo qasje e Thaçit? Prej nga kjo retorikë e ashpër që nuk kursen as “miqtë amerikanë”?

Thaçi përgjigjen e ka dhënë gjatë një debati në Prishtinë, shkruan NZZ. Ambasadorët perëndimorë iu kishin zotuar se pas gjykatës do të hiqeshin vizat, do të bëhej ushtria. Por, asgjë nga këto.

Por, NZZ shkruan se BE ka mohuar se ka pasur marrëveshje të tillë. Por, frustrimi i Thaçit mund të arsyetohet me diçka tjetër. Kosova është në një bllokadë totale. 10 vjet pas Deklaratës së Pavarësisë, shtetndërtimi ende s’ka përfunduar, njohja ndërkombëtare nuk është përfunduar as brenda BE-së.

Për më shumë, muret e vizave ende i ndajnë 2 milionë qytetarët nga BE, e cila deri më tani ka hequr vizat edhe për vende si Ukraina dhe Gjeorgjia. Hidhërimi është i kuptueshëm, por debakli në masë të madhe është vetëshkaktuar, shkruan NZZ.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme