LDK e vlerëson kështu 100 ditëshin e Qeverisë së Kosovës

11:36 | 20 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Lidhja Demokratike e Kosovës me anë të një komunikate ka komentuar punën 100 ditore të Qeverisë.

Sipas LDK-së vetëm për 100 ditë, Qeveria e udhëhequr formalisht nga Ramush Haradinaj, e ka dëmtuar rëndë politikisht, ekonomikisht dhe moralisht çdo aspekt që lidhet me qeverisjen e shtetit.

“Pas 100 ditësh qeverisjeje kaotike, Kosova sot është më e izoluar, më varfër, me papunësi më të madhe, pa perspektivë, me nepotizëm ekstrem, me buxhet të shpërdoruar skajshëm, me keqpërdorime enorme, me qeveritarë që kërcënojnë institucionet e pavarura, me njerëz të inkriminuar të vendosur në të gjitha nivelet e qeverisjes”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së për 100 ditë Qeveria Haradinaj u shqua me marrje të vendimeve jashtë kompetencave të Qeverisë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, duke krijuar precedentë të rrezikshëm kushtetues dhe ligjor për të ardhmen e vendit. Shembuj të këtyre vendimeve janë:

– Falja e borxheve në kundërshtim me kompetencat e Qeverisë dhe dëmtimi i buxhetit të Republikës së Kosovës prej rreth 60 milionë euro (vetëm për dy muaj);

– Ndarja e mjeteve për rastin Kumanova në kundërshtim me Ligjin që ndalon bashkimin në konflikte jashtë shtetit;

– Shkarkimi i bordeve që janë në kompetencë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të vënë njerëzit e tij/tyre në këto pozita;

– Ndarja e mjeteve nga rezerva buxhetore pa asnjë kriter dhe pa përgjegjësi për paranë publike;

Në Kosovë, gjatë kësaj periudhe, është rritur papunësia për 2.9 për qind, siç konfirmon Agjencia e Statistikave e Kosovës.

Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës dështuan se në vend të Kushtetutës dhe ligjeve, sjelljet dhe vendimet e tyre i bazojnë në kanun dhe relikte të odave. Në shekullin e njëzetenjë!

Kosova dhe qytetarët e saj janë sot më të izoluar dhe nuk e kanë asnjë shpresë se do të lëvizin të lirë, pasi që kryeministri është peng i kauzave të tij të rrejshme, ndërkaq BE-ja e ka rikthyer edhe kriterin e korrupsionit që ishte përmbushur më herët.

Institucionet e Kosovës kanë degraduar duke u bërë zyre për punësim të zëvendësministrave, të dhëndurëve dhe familjarëve të drejtuesve të Qeverisë.

Qeveria e Kosovës, për 100 ditë, i ka pasur së paku katër adresa vendimmarrëse, që drejtojnë pjesëza të kabinetit, si rezultat i ndarjes së pushtetit me Radojiçiqa dhe sekserë të tjerë nga të gjitha anët e Kosovës.

Shëndetësia kosovare gjatë këtyre 100 ditëve është ballafaquar me fatalitete të rënda, ndërkaq, në anën tjetër, është bërë sektor për punësim dhëndurësh, duke degraduar çdo shërbim.

Arsimi, kultura, rinia dhe sporti janë lënë në mëshirë të fatit.

Bujqësia, si sektori më i rëndësishëm në vend, udhëhiqet nga një ministër i kompleksuar për shkak të akuzave të fqinjëve të tij se ka ushtruar dhunë gjatë luftës, duke e bllokuar kësisoj çdo projekt në bujqësi.

Politika e jashtme ka shënuar prapakthim historik, duke rrezikuar njohjet, duke dështuar në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe me skandale publike.

Gjatë këtyre 100 ditëve, Kosova, për shkak të qeverisjes jolegjitime, është izoluar si kurrë më parë nga partnerët ndërkombëtarë.

Qeveria e Kosovës, ka dështuar plotësisht në avancimin e procesit të transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur.

Qytetarët e Kosovës janë sot më të pasigurt se çdoherë, pasi që vet kryeministri inkurajon anëtarët e kabinetit të tij, dhe të gjithë të tjerët, që të vazhdojnë të qëllojnë me armë zjarri nëpër festa private, duke iu referuar Kanunit.

Sa i takon “Vendimeve të Mëdha” me të cilat tentuan t’i mashtrojnë qytetarët, koalicioni aktual i ka tri qëndrime të kundërta, një kryeministri, një tjetër kryetari i Kuvendit e zëvendëskryeministrat, një krejt tjetër partneri “vendimtar” i Qeverisë, që i le në pritje koalicionin me orë të tëra për t’ia bërë kuorumin, Lista Serbe e dirigjuar nga Radojiçiqi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme