Presidenti amerikan Donald Trump shpalli sot në Uashington strategjinë e re për sigurinë kombëtare.
Dokumenti për strategjinë e re synon t’i sigurojë vendit një “manual të qartë dhe të zbatueshëm” për të përballuar kërcënimet më të rrezikshme me të cilat ndeshet aktualisht vendi, sipas zyrtarëve.
Ata thanë se ndryshe nga strategjitë e mëparshme, dokumenti i tanishëm i trajton në mënyrë të qartë dhe realiste këto rreziqe dhe sfidat, duke u dhënë përparësi interesave amerikane në përputhje me moton e presidentit “Amerika e Para”.
“Balanca globale e pushtetit është zhvendosur në mënyra të pafavorshme ndaj interesave amerikane”, tha të dielën një zyrtar i lartë i administratës. “Kjo strategji e re ofron një plan se si Amerikan mund të rifitojë vrull për të ndryshuar shumë prej këtyre tendencave.”
“Kjo do të shërbejë si një themel për strategjitë që do të pasojnë”, tha zyrtari, duke aluduar mbi publikimin së shepjti të dokumenteve për mbrojtjen dhe antiterrorizmin.
Zyrtarë të administratës thonë se, pavarësisht shqetësimeve të tyre, strategjia e re për sigurinë kombëtare nuk ka për qëllim hedhjen poshtë të strategjive të mëparshme nga ish Presidenti Barack Obama apo ish Presidenti George W. Bush.
Ata thonë se dokumenti përmbledh stategjinë që Presidenti Trump ka mbrojtur, si gjatë fushatës për presidencën dhe më pas në detyrë.
“Jetojmë në një konkurrencë globale dhe se si i avancojmë synimet tona është më kritike se kurrë”, tha një zyrtar i lartë i administratës. “Ne duhet të konkurrojmë.”
Për të konkurruar më mirë në skenën globale, zyrtarët e administratës së Presidentit Trump po përqendrohen në atë që ata i përshkruajnë si katër interesa kombëtare jetike: mbrojtja e vendit, promovimi i begatisë amerikane, ruajtja e paqes nëpërmjet fuqisë dhe avancimi i ndikimit amerikan.
“Ne duhet të punojmë sëbashku më shumë se kurrë për siguruar që shtetet të mbështesin zbatimin e ligjit, respektojnë sovranitetin e fqinjëve dhe të mbështesin rendin e paqes pas Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë, stabilitetin dhe sigurinë e përbashkët” tha Këshilltari i presidentit për Sigurisë Kombëtare Gjeneral HR McMaster gjatë njëprezantimi paraprak të strategjisë javën e shkuar në Uashington.
Strategjia identifikon tre grupe sfidash ndaj atij rendi, thonë zyrtarët.
Grupi i parë përfshin vende si Rusia dhe Kina, të cilat po kërkojnë të krijojnë një rend të ri global, ushtarak dhe ekonomik, për të cilin zyrtarët besojnë se do të dëmtojë interesat amerikane.
Në grupin e dytë janë regjimet e papërgjegjshme si Koreja e Veriut dhe Irani, të cilat po përpiqen të shtien në dorë armë të shkatërrimit në masë ndërsa mbështesin terrorizmin dhe aktivitete të tjera destabilizuese.
Grupi i fundit përfshin grupe ndërkombëtare terroriste dhe sindikata kriminale.
Zyrtarë të administratës thonë se strategjia e re për sigurinë kombëtare do të përballet me këta sfidues të ndryshëm në arenën botërore.
“Ne liruam shumë hapësirë konkurruese gjatë viteve të fundit dhe krijuam shumë mundësi”, tha zoti McMaster. “Do të shihni një theks të madh në angazhimin konkurrues.”
Por saktësisht se si Shtetet e Bashkuara do ta arrijnë këtë mbetet paksa në pikëpyetje.
“Ky dokument është më tepër i nivelit të lartë dhe përparësor”, tha një zyrtar i dytë i lartë i administratës.
Megjithatë, zyrtarët thonë se elementet e strategjisë së re të sigurisë kombëtare janë tashmë të dukshme në qasjen e Uashingtonit ndaj Koresë së Veriut, Iranit dhe Azinë Jugore.
Ajo gjithashtu synon të kundërshtojë nocionin se thirrja e Presidentit Trump gjatë fushatës “Amerika e Para” duhet të interprehotet si “Amerika vetëm.”
Në vend të saj, zyrtarët thonë se strategjia do të riafirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleatëve. Ata po ashtu thonë se do të afirmojë angazhimin amerikan ndaj NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara, edhe pse thonë hapur se zoti Trump beson se reformat në të dy organizatat janë shumë të vonuara.
Shtetet e Bashkuara nuk përjshtojnë mundësinë e bashkëpunimit me rivalët kryesorë, përfshi këtu Kinën dhe Rusinë.
“Natyra e konkurrencës nuk do të thotë që nuk do të ketë bashkëpunim”, tha një zyrtar tjetër i lartë. “Ne flasim për bashkëpunim, rreth bashkëpunimit reciprok.”
Për shembull, zyrtarët thanë se Shtetet e Bashkuara e shohin Kinën si partner kyç në përpjekjet për frenuar agresionin e Koresë së Veriut dhe ambicjet bëthamore, pavarësisht asaj që ata e përshkruajnë si agresion ekonomik të Pekinit ndaj Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët vunë në dukje telefonatën e së dielës mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit Trump, ku Putini falenderoi Amerikën dhe Agjencinë Qendrore të Zbulimit (CIA) për ndarje të dhënash për të menjanuar një sulm terrorisit, si një “shembull të mirë ku ka një interes të përbashkët”.
“Interesi i përbashkët është vënë re gjatë këtij viti në Siri kundër ISIS në uljen e rreziqeve për përplasje në përpjekjet për të krijuar zona të sigurta,” tha zyrtari.
“Pa dyshim që jemi më mirë tani se sa ishim disa muaj më parë kur sekretari i shtetit dhe presidenti thanë se marrëdhëniet Amerikë-Rusi duket se ishin në një pikë të ulët,” shtoi zyrtari. “Por ne ende shohim shumë fusha ku interesat tona nuk përputhen ose bien ndesh direkt.”
Një fushë kryesore e konfliktit me Rusinë është ajo që zoti McMaster, këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, e ka quajtur “fushata të sofistikuara subvercioni dhe dezinformimi.”
Një raport jo-sekret nga organet amerikane të zbulimit i publikuar janarin e shkuar doli në përfundimin se Presidenti Vladimir Putin zhvilloi atë që e përshkroi si një “fushatë influencimi” të paparë në përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 në favor të kandidatit të atëhershëm Donald Trump.
Megjithatë kur u pyetën, zyrtarë të tjerë të lartë të administratës nuk thanë se si strategjia e re për sigurinë kombëtare do të adresojë shqetësime të tilla, duke thënë se aktorë të tjerë, përfshi Kinën dhe grupet terroriste kanë përdorur teknika të tilla gjithnjë e më shumë.
Po ashtu ka fusha ku strategjia e re zhvendoset dramatikisht nga politikat e administratës së mëparshme.
Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Presidentit Barack Obama në vitin 2015 vuri theksin në nxitjen dhe mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Doktrina e re e Presidentit Trump ka një tjetër taktikë.
“Ne theksojmë të gjithë komponentët përbërës të demokracisë: tolerancën, lirinë, lirinë e besimit”, tha një zyrtar i lartë i administratës.
Strategjia e Presidentit Obama në vitin 2015 po ashtu bënte thirrje për përballje urgjente me krizën e ndryshimeve klimatike. Strategjia e sigurisë kombëtare e Presidentit Trump nuk kërkon këtë.
“Ndryshimi klimatik nuk është identifikuar si kërcënim për sigurinë kombëtare”, tha një zyrtar i larë. “Është diskutuar rëndësia e mjedisit dhe kujdesi mjedisor.”
Strategjia e re për sigurinë kombëtare ndërkaq ka marrë miratimin e zyrtarëve kryesorë, përfshi Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis, Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson dhe Sekretarin e Thesarit Steve Mnuchin, si edhe Drejtorin Kombëtar të Zbulimit Dan Coats dhe Drejtorin e Agjencisë Qendrore të Zbulimit (CIA) Mike Pompeo./VoA/
Gjermani, AfD rekomandon daljen nga BE në programin e saj el...
Gjatë fundjavës priten reshje shiu dhe bore në Kosovë
Alisson zbulon klubin ku dëshiron të transferohet pasi të la...
Hoti: Serbia nuk dëshiron zbatimin e deklaratës për të zhduk...
Haradinaj beson në lirimin e bashkëluftëtarëve që po gjykohe...
Një bullgar i akuzuar për spiunazh për Rusinë “kishte diskut...