Pjesa e parë e kampionatit në Superligën e futbollit kaloi me jo pak probleme.
Disa skuadra, prej tyre Besa, Drenica, Vëllaznimi, e deri diku edhe Flamurtari, u përballën me probleme financiare dhe nuk dihet nëse do ta mbyllin kampionatin apo do të dorëzohen gjatë rrugës.
Për këtë njohësit e futbollit mendojnë se futbolli kosovar nuk ka kapacitet për 12 skuadra në Superligë.
Ata insistojnë se duhet të ndërrohet sistemi i garave, në mënyrë që të ketë më pak probleme.
Trajneri Bylbyl Sokoli i përmend të mirat që do t’i sillte tkurrja e Superligës.
Ndër të tjera “Profa” përmend si shembull shtetet fqinje, Shqipërinë dhe Maqedoninë, që kanë nga 10 ekipe në Superligë. Sipas tij, me këtë rast do të rritej cilësia dhe do të shihnim më shpesh derbi, ndërkohë që do të kishim edhe më shumë shikues.
“Mendoj se duhet ta bëjmë sistemin të cilin e ka momentalisht Shqipëria dhe Maqedonia. Problemi financiar i klubeve është njëri prej faktorëve, por jo kryesori. Këtë ide e arsyetoj me faktin se ky sistem do ta rriste konkurrencën”, thotë fillimisht Sokoli për “Zërin”.
“Po mendoj që definitivisht është koha për ta ndërruar sistemin, sepse më mirë është që ekipet e forta, të cilat qëndrojnë në të gjitha aspektet fuqishëm, të takohen katër herë në mes vete, sesa të kemi ndeshje me konkurrencë më të dobët”, vazhdoi ai.
“Po ashtu do të kishim numër më të madh të derbive. Rivaliteti do të ishte më i madh, do të kishte numër më të madh të ndeshjeve të fuqishme, më shumë të hyra, më shumë publik. Janë të gjithë këta faktorë që ndikojnë pozitivisht në sistemin e ri”, përfundoi trajneri i deridjeshëm i Vllaznisë së Pozheranit.
Veliu: Më mirë Superliga me 8 skuadra
Edhe trajneri Fetah Veliu mendon se është koha për të bërë freskime në sistemin e garave. Sipas tij, Kosova është e vogël për t’i pasur 12 ekipe.
Edhe ai i ka përmendur të mirat që do t’i sillte sistemi i ri i garave.
“Më mirë të garojmë me 8 skuadra. Kosova ka dy milionë njerëz, i ka 20-40 klube, me 12 skuadra në Superligë. Nuk kemi fonde e as infrastrukturë e për atë nuk ka edhe cilësi. Kështu që duhet të mbetet Superliga me 8 skuadra. Për momentin mund të ndodhë që vetëm 5-6 skuadra mund ta përmbushin atë kuotizimin vjetor të pjesëmarrjes (sigurinë bankare). Nuk ka fonde në futbollin kosovar, nuk funksionon ligji”, shprehet Veliu.
“8 ekipe janë më stabile, përfshijnë në vete strukturë me cilësi më të lartë. Shikueshmëria rritet sepse kemi vetëm cilësi, kemi grumbullim të kuadrove, grumbullim të mjeteve dhe kështu mund të prezantohemi në Evropë më mirë. Më tepër do të rritet cilësia nëse ka më pak skuadra, sidomos Superliga. Liga e Parë le të mbetet me 16-18 apo 20 skuadra”, përfundoi ai.
Shosholli: Sistemi aktual i garave, më adekuati
Këshilli Profesional i FFK-së e ka ndërruar disa herë sistemin e garave, duke rënë në këtë që është tani.
Kryetari i këtij Këshilli, Ajet Shosholli, insiston se ky është sistemi më i duhur, i cili ka sjellë konkurrencë të fortë, e ka bërë ligën më interesante dhe i ka minimizuar dyshimet për kurdisje.
“Ne para se të kërkojmë që të ndryshohet sistemi duhet të ulemi dhe të bisedojmë se çka fitohet dhe çka humbet. Ne si Këshill Profesional kemi propozuar ndryshimin e sistemit të garave dhe zvogëlimin e ekipeve të Superligës nga 16 në 14 dhe nga 14 në 12. Deri tash sistemi i fundit mendoj se ka funksionuar pasi Superliga është bërë mjaft interesante. Ka shumë ekipe që luftojnë për titull dhe shumë të tjera për t’i ikur barazhit dhe rënies nga liga. Pra, ne si Këshill mendojmë se për momentin ky është modeli më i miri i mundshëm”, tha Shosholli për gazetën. /Zëri/
HRW: Kufizimi i ujit në Gaza nga Izraeli përbën një akt gjen...
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama ndan fotot: U mbështet p...
Izraeli konfirmon sulmet në portet dhe infrastrukturën energ...
LDK sot mban Forumin e Rinisë
Kush janë imigrantët që mund t’i prekë plani i Trumpit...
Horoskopi ditor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj