Raportet e mira ndërfqinjësore, përshpejtojnë integrimin

15:57 | 17 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Raportet e Maqedonisë me shtetet fqinje asnjëherë nuk kanë qenë sikur në nivelin e tanishëm. Që nga formimi i saj në qershor, Qeveria e udhëhequr nga social-demokrati Zoran Zaev, ka arritur të vendosë kontakte dhe bashkëpunim me të gjitha shtetet.

Janë realizuar takime të nivelit të lartë me Greqinë, me të cilën edhe ka kontestin më të madh për çështjen e emrit, me Bullgarinë është nënshkruar tashmë marrëveshja e fqinjësisë së mirë, është realizuar edhe vizita e parë e kryeministrit Zoran Zaev në Kosovë, ndërsa me Shqipërinë dhe Serbinë janë mbajtur mbledhje të përbashkëta qeveritare.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare, thonë se zhvillimi i raporteve me shtete fqinjeështë thelbësor, jo vetëm për përparimin e tyre ekonomik dhe afrimin e popujve, por edhe për aspiratat e tyre për integrim në strukturat euroatlantike.

Andreja Stojkovski nga Qendra maqedonase për arsimim evropian, thotë se politika e ngrohjes së raporteve me fqinjët, është hapi i duhur i Maqedonisë për një pozicionim sa më të mirë në prag të raportit të radhës të Brukselit, për përparimin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Realisht, kjo paraqet pjesën thelbësore të reformave, në atë që ka të bëjë me kriteret politike pasi në kuadër të këtij kriteri, hyjnë edhe raportet me shtetet fqinje; pozicioni ndërkombëtar i shtetit, ndjekjet e politikave të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Pra, e gjithë kjo është pjesë e këtij procesi dhe nëse Maqedonia vazhdon me këtë tempo, mendoj se është në rrugë të mbarë në procesin e integrimit euroatlantike. Kuptohet se këtu pastaj bëjnë pjesë edhe detyrat që duhet t’i bëjë brenda shtetit, pra kriteret tjera po ashtu të rëndësishme për integrim”, thotë Stojkovski.

Politikat konfliktuoze, nacionalizmat e probleme tjera që kanë dominuar në të kaluarën vështirësojnë integrimin e vendeve në Bashkimin Evropian, prandaj bashkëpunimi mbetet alternativë e vetme për prosperitet të shteteve, thotë Mersel Bilalli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe këshilltar për politikë të jashtme i kryeministrit Zoran Zaev.

“Marrëdhëniet ndërfqinjësore, relaksimi i këtyre raporteve, mbjellja e besimit reciprok, bashkëpunimi i shumanshëm, neutralizimi i të gjitha nacionalizmave të mundshëm dhe problemeve tjera nga e kaluara, janë parametra më se të nevojshëm që shtetet apo vendet individualisht, por edhe në grup, të ecin drejt integrimeve evropiane”, thotë Bilalli.

Duke komentuar akuzat e opozitës se politikat që po udhëheq qeveria e re janë të dëmshme për interesat kombëtare maqedonase, në veçanti ato me Greqinë dhe paralajmërimet për një zgjidhje të mundshme të kontestit me emrin, Bilalli thotë se qëllimet e kryeministrit nuk janë për interesa individuale, por si nevojë për ecjen para të shtetit dhe të qytetarëve të tij.

“Ai atë e bën jo për ndonjë arsye të veçantë, apo jashtë bindjes së vet. Unë mendoj se këtë e bën paralelisht nevojës që ka shteti dhe të gjithë qytetarët e tij, por edhe gjithë rajoni për të ecur në atë drejtim. Kjo është edhe bindje e tij personale, kështu që ai praktikisht lundron në ato ujëra ku edhe e sheh veten e tij”, vlerëson ai.

Qeveria e kaluar që drejtohej nga VMRO-ja opozitare, gjatë qeverisjes dhjetë vjeçare të Maqedonisë, ishte në konflikt permanent me Greqinë, madje në një periudhë edhe kishte ndërprerë raportet, ndërsa kishte nisur me politikën e përmendoreve dhe përvetësimin e periudhës antike, gjë që kishte acaruara raportet me Athinën.

Politikë thuajse të ngjashme kishte edhe me Sofjen, ndërsa përveç me Serbinë, asnjë bashkëpunim, vizita apo mbledhje të përbashkëta qeveritare nuk kishte zhvilluar me Kosovën dhe Shqipërinë./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme