Trump, kritika për FBI-në

20:33 | 15 Dhjetor 2017
Trina Galanxhi

Presidenti Donald Trump bëri thirrje për dënimin me vdekje të të gjithë atyre që shpallen fajtorë se kanë vrarë oficerë policie.

Duke folur në Akademinë Kombëtare të FBI në Virxhinia të premten, zoti Trump premtoi të mbështeste zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe dënoi ata që sulmojnë oficerë policie.

Gjatë fushatës presidenciale, ai premtoi se nëse zgjidhej, do të nënshkruante një urdhër ekzekutiv që të kërkonte dënimin me vdekje për vrasësit e policëve.

Më herët të premten, Presidenti Trump komentoi për FBI-në, Byronë Federale të Hetimeve.

Ai tha se “është e turpshme ajo që ka ndodhur” me FBI-në, duke e quajtur “me të vërtetë të turpshme” mënyrën se si u trajtua hetimi rreth çështjes së serverit privat të zonjës Hillary Clinton.

“Ne do ta rindërtojmë FBI-në,” tha Presidenti Trump.

Ai aludoi për redaktimet e zbuluara rishtazi që i ishin bërë deklaratës së vitit 2016 të Drejtorit të FBI-së, James Comey mbi hetimin e zonjës Klinton: “Është shumë e trishtueshme kur shikoni ato dokumente, mënyra se si e kanë bërë është me të vërtetë,” tha ai.

Zoti Trump përsëriti se “nuk ka patur asnjë bashkëpunim të fshehtë” midis fushatës së tij dhe qeverisë ruse, duke shtuar se zbulimet e fundit dëshmojnë pohimet e tij se hetimi i zonjës Klinton ka qenë “i manipuluar”.

Shtëpia e Bardhë tha se të dhënat e zbuluara për FBI-në tregojnë se ekziston “njëanshmëri ekstreme” kundër Presidentit Donald Trump në udhëheqjen e lartë të FBI-së./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme