Deputetët kërkojnë zhbllokimin e rrjetit energjetik nga Serbia

12:52 | 15 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot kërkuan sqarime nga drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë përse nuk po i bëjnë presion Serbisë që ta zhbllokojë Kosovën për anëtarësim në Rrjetin Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike(ENTSO-E).

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Zhvillim ekonomik Sala Berisha -Shala, sot ka kërkuar informacione nga drejtues të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për masat ndaj Serbisë lidhur me problemin e paraqitur në rrjetin energjetik, ngase sipas saj, është projekti i linjës së Interkonjeksionit 400 KW mes Kosovës dhe Shqipërisë shumë i rëndësishëm për të cilin ka investuar Banka Gjermane dhe është pengesë të realizohet me problemet që paraqet Serbia.

“Dëshiroj që aq sa keni njohuri të na njoftoni neve si deputetë sot, se a ka ndonjë masë që është marrë në raport me Serbinë dhe a është duke u diskutuar kjo çështje në Komunitetin e Energjisë, sepse vërtet për Kosovën paraqet shumë problem… është edhe një projekt shumë i rëndësishëm për të cilin ka investuar Banka Gjermane dhe është pengesë dhe problem që paraqet Serbia në këtë drejtim që të hynë në funksion ai projekt. Andaj, edhe Kosova më lehtë do ta kishte që t’i plotësojë kriteret që kërkohen nga Komuniteti i Energjie, pjesë e së cilës është edhe Kosova”, ka pyetur deputetja Sala Berisha – Shala.

Janez Kopac, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë theksoi se anëtarësimin e Kosovës në ENTSO-E po vazhdon ta bllokoi Serbia, edhe pse Sekretariati i Komunitetit ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të zgjidhet ky problem.

Ai gjatë një takimi me anëtarë të Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, tha se Operatori i Sistemit dhe Transmisionit të Tregut në Kosovës(KOSTT) është i përgatitur dhe i gatshëm.

“Ne kemi bërë çdo gjë që është e mundur për të ndihmuar për të filluar atë por ende nuk ka funksionuar. Ju e dini se cili është problemi, pasi që operatori i sistemit të transmisionit i Serbisë është duke e bllokuar KOST-in që të behët anëtar i ENTSO-E. Në fillim arsyet ishin teknike, pasi që KOSTT nuk ishte le të themi i pajisur siç duhet, por kjo arsye nuk qëndron më, pasi që ishte një ekspert i ENTSO-E i cili ka konfirmuar se KOSTT është i përgatitur dhe i gatshëm dhe tani problemi është formal. Arsyeja që ka dhënë Serbia për këtë bllokim është se autoritetet e Kosovës nuk kanë lejuar të vendosin furnizuesit elektrik në pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë Kopac.

Ai ndër të tjera ka thënë se edhe pse Kosova është në prag miratimit të finalizimit të legjislacionit për energjinë, ka një problem të madh për mos funksionalizimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRRE) për rregullimin e tregut energjetik, dhe kërkoi që urgjentisht deputetët ta zgjedhin këtë Bord.

“Shumica e legjislacionit sekondar ishte përgatitur dhe miratuar, por vetëm një problem shumë I madh I cili ka dalë, është Autoriteti Rregullativ i Energjisë, i cili nuk është duke funksionuar, nuk ka anëtarë në bord dhe kjo gjendje është për disa muaj, andaj ju si parlament duhet të përpiqeni ta tejkaloni këtë situatë të institucionit I cili nuk funksionon dhe sa më shpejt që është e mundur, pasi që kjo shkakton probleme të shumta”, ka thënë Kopac.

Kryetarja e Komisionit, Berisha Shala ka thënë se problem dhe sfidë është mungesa e bordit të ZRRE, por tha së është në proces përzgjedhja e bordit nga Qeveria dhe shumë shpejt pritet të sillet raporti me emra në Kuvend dhe premtoi se një prej seancave të ardhshme do të votohen këta anëtarë për bordin e ri.

Kopac para deputetëve ka folur edhe për direktivat dhe kornizat ligjore, dhe objektivi kryesor i Komunitetit të Energjisë është sipas tij, shtrirja e rregullave dhe parimeve të brendshme të BE për energjinë në vendet e Evropës Juglindore, rajonin e Detit të Zi dhe me gjerë në bazë të një kornize ligjërisht të detyrueshme.

Komuniteti për Energji është një organizatë ndërkombëtare e cila bashkon Bashkimin Evropian dhe fqinjët e vet, për të krijuar një treg të integruar evropian të energjisë

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme