Google ADS

Importi i miellit mund të zëvendësohet me vendet e BE-së dhe Turqinë

07:41 | 15 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Pas rënies drastike të importit të miellit nga Serbia, Kosova mund të lidhë marrëveshje me vendet e Bashkimit Evropian dhe Turqinë që të importojë miell nga këto vende, kështu duke plotësuar atë 40% e kërkesave për miell, shkruan arbresh.info.

Në Kosovë diku rreth 60 % të kërkesave për miell plotësohen nga prodhimet vendore, ndërsa pjesa tjetër importohet, thotë analisti për ekonomi Lulzim Beqiri.

Vendimi i qeverisë, sipas analistit Lulzim Beqiri ka ndikuar pozitivisht tek prodhuesit vendorë, ku sipas tij Kosova nuk rrezikon të mbetet pa miell.

“Kosova diku rreth 60% të kërkesave të veta i plotëson nga prodhimi vendor, ndërsa pjesën tjetër e importon, nëse Serbia nuk reflekton atëherë duhet shikuar mundësinë e furnizimit nga vendet e BE-së, kjo do të ndikojë edhe në disiplinimin e kompanive serbe që mos të operojnë me çmime të ulëta, sepse ligjet në fuqi në Kosove sanksionojnë këtë gjë. Mendoj që është edhe një motiv shtesë i bujqve kosovarë që të rrisin kapacitetet e mbjelljes së tokave me grurë, tashmë edhe e kanë mbështetjen e shtetit duhet vetëm të rritet cilësia dhe kapacitetet e tyre”, ka thënë Beqiri.

Beqiri më tej ka shtuar se Kosova duhet të lidhë marrëveshje me BE-në dhe Turqinë që të importohet miell nga atje.

“Kosova nuk rrezikon të mbetet pa miell sepse ka shumë mundësi që të lidhë marrëveshje me shtetet e BE-se dhe Turqinë ne mënyrë që të plotësojë nevojat e veta, shpresoj që dalëngadalë po vihet në binarë çdo gjë sepse mbrohet prodhuesi vendor dhe rritet cilësia e prodhimit si pasoj e këtyre vendimeve”, ka thënë Beqiri.

Beqiri ka kërkuar të rritet cilësia e mielli dhe t’i përmbush standardet e kërkuara në mënyrë që konsumatori të jetë i sigurt .

“Vendimi i Ministrit Hasani për taksën e miellit ndaj Serbisë ka qenë një mesazh i mirë i politikës kosovare karshi mbrojtjes se produkteve vendore, prodhuesi vendor ka qenë çdo herë i atakuar nga produktet që vinë nga shtetet tjera me çmim me të vogël se çmimi i prodhimit në Kosovë, pra Qeveria më të drejtë ka ndërmarrë një hap të tillë, kjo ka ndikuar pozitivisht te prodhuesit vendorë, çka edhe kisha bërë apel të rrisin cilësinë dhe t’i përmbushin standardet e kërkuara në mënyrë që konsumatori kosovar të jetë i sigurt çka konsumon”.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë masa për importin e miellit nga Serbia që nga 23 tetori i këtij viti, dhe kjo ka bërë që importi i miellit nga Serbia të ketë rënie për rreth 78 për qind.

Që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi  për vendosjen e tarifës prej 0.04 cent për importin e miellit nga Serbia, ka rënë dukshëm importi i miellit nga ky shtet krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar./M.Avdimetaj/arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme