Të dielën mblidhet Këshilli i Vetëvendosjes

21:49 | 14 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Pas probleme të brendshme nëpër të cilat është duke kaluar, Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë këtë të diele

Lajmin sapo e ka bërë të ditur deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli. Ajo ndër tjerash ka thënë që janë mbledhur nënshkrimet e 2/3 të gjithë delegatëve, sado që për t’u mbajtur një mbledhje e tillë kërkon vetëm 1/5 e tyre.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka mbajtur mbledhje të këshillit të përgjithshëm që nga 20 gushti 2017, përderisa statuti i kësaj partie kërkon që këshilli të mbledhet së paku një herë në tre muaj.

Postimi i plotë i Pacollit:

Gjatë tre ditëve të fundit ka patur një kërkesë të drejtë dhe të shtruar masivisht nga anëtarësia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për të mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, organit më të lart vendimmarrës. Për më tepër, mbledhja e fundit e këtij Këshilli është mbajtur më 20 gusht 2017, dhe me Statut mbledhjet e këtij organi duhen mbajtur së paku një herë në tre muaj. Me bindjen e thellë te parimet e demokracisë së brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, gjatë ditës së sotme, në përputhje me Statutin dhe Rregulloren e Organeve Vendimmarrëse, janë mbledhur nënshkrime nga delegatët e Këshillit të Përgjithshëm për ta mbajtur mbledhjen e këtij Këshilli ditën e diel, data 17 dhjetor 2017.
Deri tani e kanë dhënë nënshkrimin e tyre për ta mbajtur këtë mbledhje 2/3 e të gjithë delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Me Statut dhe Rregullore nevojitet vetëm 1/5 e nënshkrimeve e të gjithë delegatëve të Këshillit për ta thirrur e për ta mbajtur këtë mbledhje. Kështu, tashmë kriteri është përmbushur, por ka ende delegatë që dëshirojnë të nënshkruajnë dhe kemi vendosur që të presim dhe pak që ata të na e kthejnë të plotësuar formularin e grumbullimit të nënshkrimeve.
Të gjitha nënshkrimet e grumbulluara sot dhe në orët në vijim, do t’i dorëzohen nesër paradite Kryesuesit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Hydajet Hyseni, për ta thirrur mbledhjen organit më të lartë vendimmarrës të Lëvizjes VETËVENDOSJE! këtë të diel, data 17 dhjetor 2017.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme