“Anëtarësimi në BE, qëllim strategjik i Kosovës’

12:29 | 14 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Në konferencën Ministrore të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim ekonomik (OECD) që po mbahet në Paris, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë në panelin e konferencës dhe diskutoi për temën e sesionit plenar: Si duhet të transformohet administrata publike për t’u dhënë shërbime qytetarëve në kohë sfiduese?

Ajo theksoi se qëllimi strategjik i Kosovës është të bëhet anëtare e BE-së, transmeton Klan Kosova.

“Në dritën e këtij qëllimi, administrata publike kërkon nivelin e modernizimit që do të mundësojë bashkëveprim më të mirë mes njerëzve dhe Qeverisë. Në kohërat sfiduese që po kalojmë dhe në përdorimin gjithnjë në rritje të teknologjisë së informacionit, ne kërkojmë të krijojmë një strukturë ku shërbimet ndaj qytetarëve tanë, të jenë të arritshme lehtë dhe në çdo kohë”, tha Hoxha.

Pasi foli për historinë e re të Kosovës, Hoxha, theksoi se Administrata publike e modelit evropian, duhej të ndërtohej nga e para, duke krijuar një situatë të re për të vijuar me theks për rëndësinë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Detyrat që vijnë nga MSA-ja janë të paimagjinueshme pa rritur kapacitetet e institucioneve të administratës publike dhe nëpunësve civilë për të planifikuar, zbatuar dhe monitoruar politikat dhe ligjet duke përfshirë rregullimin efektiv dhe ofrimin e shërbimeve publike efikase të orientuara nga qytetarët”, theksoi Ministrja Hoxha.

Për këtë qëllim, vuri në dukje ajo , u soll paketa e tri ligjeve. Megjithëse ende është në proces të finalizimit, Ligji për Organizimin e Administratës Publike, Ligji për Shërbimin Civil dhe Ligji për Pagat, si një pako ligjesh me synimin e trajtimit të barabartë, të drejtë, transparent dhe të përgjegjshëm të administratës publike.

Me ndihmën e Komisionit të BE-së dhe SIGMA-s, theksoi Ministrja, u zhvillua Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike./Klan Kosova/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme