Ymeri: Projekti dhe kontrata e “Kosova e Re”, skandalozë

10:24 | 14 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Deputeti i VV-së, Visar Ymeri ka kritikuar sot në Kuvendin e Kosovës nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” që është bërë dje mes Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global.

Ymeri ka thënë se ky termocentral është projekti më i rëndësishëm ekonomik pas luftës në Kosovë dhe po ashtu më jotransparent deri më tani, shkruan arbresh.info.

Sipas tij, kontrata për ndërtimin e “Kosovës se Re” është skandaloze ashtu siç është edhe projekti në tërësi.

“Është edhe procesi i negocimit më jotransparent që i kemi parë gjatë kësaj periudhë sikur ato për ndërtimin e autostradave. Kthimi në investime do të jetë 21.5 për qind ndërkohë që ngritja e çmimit të energjisë do të jetë prej 28-32 për qind si rrjedhojë e këtij projekti. Këto mjaftojnë për të treguar se sa skandaloze është kjo kontratë dhe ky projekt në tërësi. Po zbatohet faza e dytë e privatizimit të gjenerimit. Ky privatizim nuk ka se si të jetë ndryshe përveç se privatizim i shtetit. Energjia elektrike nuk është luks por lidhet drejtpërdrejt me sovranitetin, me zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien. Ky lloj privatizimi është ikje e shtetit nga përgjegjësia. Ne po heqim dorë nga pasuritë tona energjetike”, është shprehur Ymeri.

Ai ka shtuar se aktualisht ZRrE po synon rritjen e çmimit të energjisë për 18,7 për qind ndërkohë që sipas tij, me ndërtimin e termocentralit të ri, çmimi pritet të rritet deri në 40 për qind./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme