Shala: Institucionet e vendit ta disiplinojnë ZRrE-në, nuk duhet të ketë rritje të çmimit të rrymës

07:29 | 14 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Faturimi i energjisë elektrike të shpenzuar në veri për pjesën tjetër e qytetarëve të Kosovës, përbën shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Madje, institucionet e vendit duhet të marrin hapa urgjent dhe ta disiplinojnë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë , pas paralajmërimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike, në rast se institucionet e vendit nuk gjejnë zgjidhje se si të mbulohen kostot e furnizimit me energji në pjesën veriore.

Kështu ka thënë për arbresh.info,  kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala.

“Kjo është shkelje flagrante e të Drejtave të Njeriut dhe për këtë arsye ne kemi reaguar , ka reaguar edhe institucioni  i Avokatit të Popullit, ka marrë një vendim edhe Gjykata Themelore, edhe Gjykata e Apelit dhe ZRrE-ja po del që është mbi gjykatat , mbi shtetin. Qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësive etnike nuk janë të detyruar ta paguajnë energjinë elektrike për të tjerët”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk është e arsyeshme që për shkak të probleme që ka KEDS-i dhe ZRrE-ja, të rritet çmimi i energjisë elektrike.

“Ata duhet të paguajnë faturat vet , dhe këtu nuk as logjikë që ZRrE-ja, tash për shkak të krizës apo problemeve që i ka ta rris çmimin e energjisë elektrike sepse edhe ashtu çmimet janë mjaft të larta, thuaja janë të papërballueshme për shumicën dërmuese të qytetarëve dhe institucionet duhet të marrin hapa urgjent në mënyrë që ta disiplinojnë ZRrE-në”, ka thënë ai.

Shala, ka pohuar se në asnjë vend të botës nuk ndodhë që qytetarët e tij detyrohen të paguajnë për shpenzimet e dikujt tjetër, duke shtuar se qytetarët e pjesës veriore duhet të mësohen të paguajnë për diçka që shpenzojnë dhe se kjo që ka ndodhur deri tani sipas tij “është abuzim flagrant të cilin e kanë lejuar dhe kanë kontribuuar institucionet e Kosovës”.

Sipas, tij sikur kjo që ka ndodhur në Kosovë, të ndodhte në ndonjë vend tjetër atëherë protestat do të ishin të pashmangshme.

“Ne kemi bërë thirrje për protesta , për neve besoni se kjo është shumë jo serioze , e pakuptueshme se si konsumatorët durojnë aq abuzime me fondet e tyre e të cilat mezi i sigurojnë dhe sikur në një shtet normal të kishte ndodhë kjo moti do të kishte protesta”, ka shtuar Shala për arbresh.info.

Ai ka thënë se pavarësisht që kanë bërë thirrje për protesta nuk mund të i detyrojnë qytetarët e vendit  të dalin dhe të protestojnë, por ka pohuar se është në interes të tyre që të japin kontribut për ndërprerjen ë këtyre padrejtësive që po u bëhet.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari gjatë raportimit  për këtë çështje në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës këtë javë ka sqaruar se arsyetimi i ZRrE-së për këtë veprim është se nëse nuk do të ndodhte kështu atëherë KEDS-i do të falimentonte dhe Kosova do të përfshihej nga një kolaps energjetik.

Qytetarët e Kosovës paguajnë energjinë e shpenzuar nga qytetarët serbë të katër komunave serbe në veri të Kosovës në vlerë prej 8 milionë euro në vit, që nga viti 2011/J.Zhuniqi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme