Rritja e çmimit të rrymës, skandali i radhës i Qeverisë

07:06 | 14 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Paralajmërimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të çmimit të energjisë elektrike, në rast se institucionet e vendit nuk gjejnë zgjidhje se si të mbulohen kostot e furnizimit me energji në pjesën veriore, nga njohës të ekonomisë po shihet si i padrejtë.

Ata vlerësojnë se Republika e Kosovës nuk e ka për detyrë me pagu energjinë e harxhuar nga një grup i cili as që e njeh Kosovën.

Sipas tyre, pavarësisht kësaj, qytetarët e pjesës veriore janë qytetarë të Kosovës, dhe duhet tu nënshtrohen të gjitha pagesave njëjtë.

Lulzim Beqiri, ekspert i ekonomisë thotë për arbresh.info se e vetmja mënyrë që të mbulohet kostoja për furnizimin të energjisë për katër komunat veriore është shtrirja e kontrollit në mënyrë të njëjtë edhe në atë pjesë.

“Republika e Kosovës nuk e ka për detyre me e pagua energjinë e harxhuar nga një grup i cili as që e njeh Republikën e Kosovës, e udhës do ishte që institucionet e vendit të shtrin kontrollin në tërë vendin dhe ti mbledhin pagesat në mënyrë institucionale, mjaftë më u privilegjuan një komunitet i cili dëmin më të madh ia ka bërë Kosovës në arenën ndërkombëtare, pra Qeveria duhet të shtrijë ndikimin e saj dhe të zbatohet ligji në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij nëse ky paralajmërim nënkupton që kjo kosto të mbulohet përmes buxhetit të taksapaguesve e që i bie që qytetarët e Kosovës, ta paguajnë energjinë e akumuluar në veri atëherë ky do të ishte gabimi më i madh i Qeverisë.

“Do të ishte gabim i madh nëse Qeveria vendos ta paguajë atë borxh me taksa të qytetarëve, mendoj se është e njëjtë si me i pagu qytetaret siç kanë paguar deri tash si me i pagua qeveria, pra ato janë taksa tona dhe nuk duhet lejuar një gjë e tillë, nëse ndodh qytetarët nuk duhet të rrinë duarkryq, një mobilizim gjithë popullor dhe me i mbrojtë taksat ton”, ka pohuar ai.

Sa i përket arsyetimit të ZRrE-së, që nëse energjia elektrike nuk u ishte faturuar qytetarëve të Kosovës, KEDS-i, do të bankrotonte, Beqiri thotë se kjo nuk qëndron, duke shtuar se qytetarët nuk janë të detyruar të bartin dertin e KEDS-it.

“Jo nuk qëndron një gjë e tillë, ne nuk jemi të detyruar të bartim edhe dertin e KEDS-it a fiton a humb ne duhet paguar vetëm energjinë e shpenzuar, nuk ka askush të drejt të më faturoj diçka që se kam shpenzuar, ajo mbetet çështje e menaxhimit të KEDS-it, fitimi neto i realizuar tregon diçka tjetër jo se do të humbte KEDS-si ose bankrotonte, qëllimi themelor i KEDS-it është maksimizimi i fitimit”, ka thënë ai për arbresh.info.

Sipas tij, i gjithë ky problem po zvarritet për shkak se institucionet e Kosovës kanë interesa personale sa i përket kësaj fushe.

Kurse Musa Limani, po ashtu njohës i ekonomisë thotë se vetë fakti që shpenzimet e rrymës të pjesës veriore, i janë ngarkuar konsumatorëve kosovarë është diskriminim në aspektin nacional dhe të përkatësisë të etnitetit gjë që sipas tij është e kundërligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Sipas tij paralajmërimi i ZRrE-së, për rritje të çmimit të energjisë elektrike në rast se institucionet nuk gjejnë një zgjidhje se si të mbulohen kostot e furnizimit me energji të pjesës veriore do të ishte diskriminim i dytë.

“Nëse është e vërtetë kjo që ZRrE-ja, ka paralajmërua ngritjen e çmimeve për mbulesën e kostos dhe shpenzimet që janë bërë për veriun mendoj se ky do të jetë diskriminimi i dytë i Zyrës së Rregullatorit për arsye se konsumatorët nuk janë të obliguar ti mbulojnë shpenzimet të cilat i ka bërë dikush tjetër me qëllime të caktuara politike e të tjera”, ka thënë ai.

Limani, ka pohuar se këtë problem duhet ta zgjidh vet KEDS-i, e po ashtu edhe Qeveria.

“Këtë çështje duhet ta zgjidh vet KEDS-i, i cili ka bërë maniverzime me konsumatorët dhe normalisht ata së bashku me Qeverinë ose vet duhet t’i përgjigjen asaj që e kërkon edhe Avokati i Popullit që ta zgjidhin këtë problem dhe në mënyrë retroaktive t’ia kthejnë popullatës ato shpenzime për të cilat i kanë ngarku pa të drejtë”, ka pohuar Limani.

Që nga vitit 2011 qytetarët e Kosovës, kanë paguar energji elektrike për pjesën veriore në shumë prej 53 milionë euro.

Sipas vlerësimeve, shuma që qytetarët e Kosovës paguajnë në vit për energjinë elektrike të shpenzuar në veri është 8 milionë euro./J.Zhuniqi/arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme