Google ADS

Themelohet Ekipi Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin

12:12 | 13 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka themeluar ekipin përgatitor për të Vërtetën dhe Pajtimin. Këtë ekip të prezantuar sot, presidenti Thaçi e ka cilësuar si hap të parë konkret drejt konkretizimit të kësaj iniciative të rëndësishme për shoqërinë dhe të ardhmen tonë, shkruan arbresh.info.

 “Ndër iniciativat e para që kam ndërmarr si President i Republikës së Kosovës, ka qenë edhe iniciativa për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. E kuptoj qartë se është një iniciativë që ka zgjuar reagime të shumta. I kemi pritur këto. Por, nuk e kemi pritur që kjo iniciativë do të marrë aq shumë përkrahje nga pjesa dërrmuese e shoqërisë dhe institucioneve kosovare. Kjo na ka inkurajuar, por edhe na ka obliguar që të lëvizim me hapa të kujdesshëm dhe të sigurt”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi është shprehur se ndonëse kanë kaluar gati dy dekada që nga përfundimi i luftës dhe më nuk shihen nëpër rrugë gjurmët e konfliktit, megjithatë ende kanë mbetur plagë në zemrat e viktimave.

 “Këto shpesh bëhen pengesë për të ardhmen e vendit tonë, prandaj kam iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, që të mbyllim kapitullin e luftës dhe të hapin atë të paqes për gjeneratat që do të vijnë. Në thelb të punës së Komisionit do të jenë viktimat e luftës, njohja e vuajtjes së tyre”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit i ka falënderuar veçanërisht përfaqësuesit e shoqatave të familjeve të të pagjeturve.

“Me punën e tyre, me bashkëpunimin në mes tyre, me përkushtimin që të mos lejojnë që të përsëriten më dhimbjet e luftës, ata janë bërë inspirim për të gjithë ne. Inspirim janë edhe të gjitha viktimat që kanë gjetur forcë që të tregojnë për vuajtjet e tyre, por edhe të shikojnë përtej dhimbjes së tyre, drejt të ardhmes. Ajo që synojmë me Komisionin është të ndërtojmë një narrativ të unifikuar për të kaluarën tonë. Të pajtohemi për të kaluarën, e jo të luftojmë për të kaluarën. Kështu do të pajtohemi edhe për të ardhmen”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke falënderuar pjesëtarët e Ekipit Përgatitor që kanë shprehur gatishmërinë të jenë pjesë e kësaj iniciative fisnike, serioze dhe jo të lehtë, presidenti ka thënë se mirëpret angazhimin dhe rezultatet e punës së tyre.

Ekipi Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin do të përbëhet nga 9 anëtarë, ku 2 përfaqësues do të jenë nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, 1 përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës, 1 përfaqësues nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe 5 anëtarë nga shoqëria civile. Ky ekip do të përkrahet edhe nga ekspertë ndërkombëtarë, që do të angazhohen nga OSBE-ja, Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Detyrë e Ekipit Përgatitor është që brenda një viti të përgatisë infrastrukturën teknike e ligjore për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, që pritet ta themelojë presidenti Thaçi./arbresh.info/

Të ngjashme