Demarkacioni mbetet për 2018-ën, Haradinaj nuk kreu ‘detyrat e shtëpisë’

07:00 | 13 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi nuk pritet të zgjidhet brenda vitit 2017. Gati tre vite diskutim e debate, e prapë gjasat janë shumë të vogla që të ratifikohet Marrëveshja që përcakton kufirin me Malin e Zi, por e rëndësishme për qeverinë Haradinaj duket të jetë dalja në votim në Kuvend, shkruan arbresh.info. Sipas tyre në të ardhmen mund të ketë përçarje.

Qeveria e Ramush Haradinaj do të bëjë gjithçka që ta qes në votim Demarkacionin, sepse sipas analistëve kjo është e rëndësishme për t’i zënë disa afate për liberalizimin e vizave.

Kështu thotë analisti politik Imer Mushkolaj, derisa shton se aktualsht gjasat janë minimale që të ratifikohet marrëveshja.

“Pas vizitës së Kryeministrit me 18 dhjetor në Bruksel ka me qenë një impuls i ri rreth kësaj çështje. Para kësaj date nuk do të dal në parlament. Tash për tash gjasat janë mos me kalu, atëherë i hyjmë një procesi shumë të vështirë prej fillimit, negocim te ri, zvarritje etj”, tha Mushkolaj për arbresh.info.

Sipas Mushkolaj, demarkacioni do të shkaktojë përçarje mes partive në pozitë, por nuk do të bie qeveria.

“Demarkacioni nuk do të prish qeverinë, mundet me shkaktu ndonjë përçarje. Por kryeministri ka përgjegjësinë më të mëdha se sa vetëm me dërgu në Kuvend, ka përgjegjësi polikë por edhe morale”, tha Mushkolaj, duke shtuar se qytetarët presin zgjidhje nga Ramush Haradinaj.

As analisti tjetër politik Bajrush Morina nuk është optimist që Demarkacioni të votohet brena këtij muaji në Kuvend. Ai thotë se nuk pret të ndodhë mrekullia dhe kritikon Haradinajn për vizitën e tij në Bruksel duke thënë se nuk shkohet me fjalë të thata.

Morina thotë se kauza për demarkacionin e ka bëre kryeministër Haradinajn, dhe demarkacioni do ta rrëzojë prej postit të kryeministrit.

“Para se kryeministri Haradinaj të shkojë në Bruksel është mirë me i ‘kry detyrat e shtëpisë’ në Kosovë. Krejt liderët tanë në Bruksel po tregohen ‘lepuj’ e ne Kuvendin e Kosovës po bëhen ‘komandanta’. Në Bruksel duhet të shkohet me rezultate jo me fjalë të thata. Prandaj nuk pres se do të ndodhë mrekullia në Kuvendin e Kosovës ku më së paku flitet për demarkacionin e më së shumti shahen e përlahen pozita me opozitën”, tha ai për arbresh.info.

Qeveria javën e kaluar ka miratuar Marrëveshjen dhe raportin e komisionit të formuar nga kryeministri Haradinaj. Përmes raportit bëhet thirrje që mos të ratifikohet marrëveshja.

Një ditë më parë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se Parlamenti ende nuk e ka marrë ndonjë material nga Qeveria./M.Avdimetaj/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme