Google ADS

Arnold: Vetëm Donald Trump hoqi dorë nga marrëveshja për klimën, jo amerikanët

20:52 | 12 Dhjetor 2017
Trina Galanxhi

Arnold Schwarzenegger, gjatë një takimit për ndryshimet klimatike në Paris, ka kritikuar ashpër Presidentin amerikan, Donald Trump, për tërheqjen e tij nga marrëveshja e nënshkruar nga 170 vende të botës.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë hequr dorë nga marrëveshja e Parisit. Është vetëm Donald Trump ai që u tërhoq”, tha aktori dhe ish guvernatori i Kalifornisë, shkruan “CBS”, transmeton portali arbresh.info

Vendimi i Trump ishte temë e samitit “One Planet”, që u thirr nga Presidenti francez, Emmanuel Macron, ku edhe morrën pjesë më shumë se 50 liderë botërorë, drejtorët ekzekutivë, të famshëm, filantropë dhe menaxherët e fondeve të investimeve.

Macron gjatë samitit ka theksuar se “ne jemi duke e humbur betejën kundër ndryshimeve klimatike”.

“Ne nuk jemi duke bërë sa duhet. Të gjithë duhet të veprojmë”, tha Macron, duke kërkuar që sa më parë të krijohet një frymë e re për të luftuar ndryshimet klimatike në përvjetorin e dytë të marrëveshjes së Parisit.

Samiti ka për qëllim gjetjen e miliarda dollarëve për financimin e vendeve të varfëra dhe është bërë thirrje që të reduktohen emetimet e gazrave serrë./arbresh.info/

Të ngjashme