Kryeministri Haradinaj dhe kryeministri Zaev vizituan Kompaninë “Vitaminka Trade”

16:27 | 12 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, kanë vizituar Kompaninë “Vitaminka Trade”.

Para të pranishmëve, përfaqësues të bizneseve nga Kosova dhe Maqedonia, kryeministri Haradinaj tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Maqedonisë është shumëdimensional.

“Krahas bashkëpunimit politik, në planin rajonal e global, kemi interes të madh edhe në bashkëpunimin ekonomik dhe ky bashkëpunim jeni ju, afaristët”, tha kryeministri Haradinaj, duke porositur që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tutje.

Kryeministri më tutje tha se Kosova dhe Maqedonia kanë bashkëpunim në shumë fusha, që është i vlerësueshëm, duke theksuar se edhe pse bilanci tregtar është i dobët për Kosovën, ngaqë më shumë importohet sesa eksportohet.

“Shpresojmë që në të ardhmen, në rast se aktivizojmë minierat e qymyrit, mund edhe të eksportojmë qymyr në Maqedoni, duke rregulluar bilancin tregtar në mes dy vendeve”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, shprehu besimin se bashkëpunimi midis dy vendeve në këmbimin tregtar dhe në zhvillimin e bizneseve do të zhvillohet në interes të dyanshëm dhe në shërbim të ngritjes së standardit të qytetarëve dhe të hapjes së vendeve të reja të punës. Kryeministri Zaev në këtë kontekst ka ripërsëritur se përfundimi i autostradës që lidhë dy vendet, do të avancojë edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve tona.

Rasim Merlaku, drejtor gjeneral i “Vitaminka Trade”, shprehu kënaqësinë për vizitën që dy kryeministrat i bënë kompanisë së tij, e cila bashkëpunon me prodhuesin më të madh në Maqedoni. “Vitaminka Prilep” që nga viti 1973. ‘Bashkëpunimi ynë do të thellohet edhe më shumë në vitin 2018, me projektin e përbashkët për prodhimin e përbashkët të produkteve ushqimore edhe në Kosovë”, tha ai, duke theksuar rëndësinë që ka për bizneset ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Shkup.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme