Shpella e Gadimes në Lipjan, është njëra ndër bukuritë që ka Kosova. Është e gjatë 1500 metra dhe ndahet në 3 nivele: niveli nënujor, niveli i mesëm që është për vizitorë, dhe niveli i sipërm që është zbuluar, por që është i pakalueshëm për vizitorë.
Pritet që për vizitorët të bëhen hapje të reja të hapësirave në Shpellën e Gadimes, por drejtoresha e Shpellës së Gadimes, Ardiana Pllana, thotë për Radio Kosovën se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për këto ndërhyrje.
Në Shpellën e Gadimës në Lipjan, ka kohë që është zbuluar niveli tretë i saj, por që është i pakalueshëm për vizitorë. Drejtoresha e Shpellës së Gadimes, Ardiana Pllana, tha se në shpellë ka hapësirë të mjaftueshme për të eksploruar dhe për të rregulluar korridore të reja për zgjerimin e saj, mirëpo, ajo thekson se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për t’i bërë këto ndërhyrje:
“Ka ende korridore që nuk janë eksploruar, duhet të ketë me shumë buxhet, sepse ky që kemi, na pamundëson për intervenime më të thella të shpellës.”
Pllana pret nga ministrja e re që t’i përkrahë përpjekjet për tejkalimin e problemeve që kanë punëtorët administrativë, si dhe t’u ofrojë përkrahje në kërkesat e tyre për projektet në zgjerimin dhe mirëmbajtjen e shpellës.
Ndërsa, ministrja e Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, tha për Radio Kosovën se do të angazhohet për ruajtjen e saj, dhe do të përmirësojë kushtet për zgjerimin dhe mirëmbajtjen e shpellës.
“Prioriteti im është hulumtimi i korridoreve dhe galerive të reja të shpellës. Zgjerimi i liqenit dhe krijimi i qendrës turistike, duke investuar në rregullimin e infrastrukturës për rreth saj, e zgjeron dhe modernizon shpellën dhe u jep mundësi qytetarëve të kësaj ane të punësohen, duke zhvilluar aktivitete komerciale, duke u ofruar turistëve produkte. Gjithashtu do të krijojmë kushte të favorshme që të rritet numri i vizitorëve” tha ajo.
Ciceroni në Shpellën e Gadimes, Oso Gjinovci, tha se kanë probleme me ndriçimin e hapësirave brenda shpellës, për shkak të lagështisë së madhe që ka brenda
“Nevojitet ndihmë për ndriçimin e Shpellës së Gadimes, kemi probleme sepse shpella pikon vazhdimisht dhe dëmtohen dritat”, tha ai.
Shpella e Gadimes ka gjithsejtë shtatë punëtorë, dhe brenda vitit shpellën e vizitojnë rreth 30 mijë vetë./RadioKosova/
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...