Mogherini: Jerusalemi, kryeqyteti i dy shteteve

09:25 | 11 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Kryeministri izraelit ka arritur në Bashkimin Evropian për një vizitë zyrtare, e para e këtij lloji nga një përfaqësues i lartë i këtij vendi në 22 vite, shkruan portali arbresh.info

Ai është takuar me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Mogherini ka deklaruar që BE-ja do të vazhdojë të respektojë konsensusin ndërkombëtar për Jerusalemin, që thotë se qyteti i shenjtë është kryeqytet i Izraelit dhe Palestinës.

“Vizita e Netanyahut vjen në një kohë të posaçme, si partnerë dhe miq ne duam të diskutojmë interesat e njëri-tjetrit, dhe besojmë se është në të mirë të Izraelit, veçanërisht në aspektin e sigurisë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez. Për këtë Bashkimi Evropian do të rrisë punën e tij me miqtë tanë ndërkombëtarë, si dhe me partnerët e rajonit, duke filluar nga Egjipti dhe Jordania dhe natyrisht me palët Izraelin dhe Palestinën për të rinisur procesin e paqes, edhe nëse duken kohë të vështira. Do të kemi bisedë të ngjashme me presidentin Abbas në muajin janar. Ju e dini qëndrimin e Bashkimit Evropian, ne besojmë që zgjidhja realistike është e bazuar në dy shtete me Jerusalemin si kryeqytet të të dyja shteteve. Do të vazhdojmë të respektojmë konsensusin ndërkombëtar mbi Jerusalemin derisa të definohet statusi përfundimtar i qytetit të shenjtë përmes bisedimeve direkte mes palëve”, ka thënë ajo.

Më tej Mogherini është shprehur se gjëja më e keqe që mund të ndodhë është përshkallëzimi i tensioneve dhe dhunës. Ajo ka dënuar dhunën ndaj hebrenjve kudo në botë.

“Tensionet e ngritura dhe dhuna vetëm do të nxisin, dhe do të ishte dhuratë për ekstremistët dhe ata që janë kundër paqes dhe sigurisë”, ka deklaruar shefja e BE-së për Politikë të Jashtme.

Të mërkurën, presidenti amerikan Donald Trump ka njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit duke nxitur protesta nëpër botën arabe e myslimane./Arbresh.info/

 

Të ngjashme