Google ADS

Al Sabah ka premtime për sportistët nga Kosova

22:03 | 10 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Presidenti Al Sabah u prit në Aeroportin e Prishtinës nga Bordi Ekzekutiv i KOK-ut, me në krye presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Besim Hasani.

Al Sabah tha para mediave se Kosova është shumë e rëndësishme, sidomos pas bërjes anëtare e ANOC-ut dhe IOC.

Sipas tij, sporti në këtë vend është zhvilluar shumë në tri vitet e fundit, ku veçoi medaljen e artë olimpike të Majlinda Kelmendit në RIO 2016, dhe valimin e flamurit të Kosovës.

“E kam përkrahur Besim Hasanin që KOK-u të bëhet anëtar i IOC-ut dhe ANOC-ut prej 5-6 vitesh. Jam i lumtur që jam këtu edhe për historinë e këtij vendi. Historia ka treguar se sa krenarë janë njerëzit këtu. Shpreh konsideratën time për të gjithë ata që kanë dhënë mbështetje të plotë për këtë çështje. U dëshiroj të ardhme të ndritur, stabilitet dhe sukses për shtetin tuaj”, tha Al Sabah.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, e çmoi lartë vizitën dhe kontributin e Al Sabah për Kosovën. “Është një ditë e veçantë, sepse sot po vizitohemi nga një njeri që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në pranimin tonë në KON dhe më pas në ANOC. Ky vjen për të parë se sa jemi zhvilluar për tri vite dhe besojmë se kemi çfarë t’i tregojmë, sidomos me të arriturat që kulmojnë me të medaljen e artë të Majlinda Kelmendit në RIO 2016”, tha Hasani.

Në orët e pasdites eskorta e presidentit Al Sabah vizitoi KOK-un, ku zhvilloi një takim me presidentin e KOK-ut, Besim Hasani dhe Bordin Ekzekutiv të KOK-ut.

Hasani e falënderoi Al Sabah për vizitën dhe kontributin e çmuar të tij në anëtarësimin e KOK-ut në KON dhe ANOC, derisa i tregoi për sfidat nëpër të cilat ka kaluar Lëvizja Olimpike në Kosovë nëpër vite dhe sfidat e tanishme pas anëtarësimit në KON dhe ANOC.

Ndër të tjera, Hasani i tregoi synimin kryesor të KOK-ut, bërjen ndër 10 komitetet më të mira në botë, gjithnjë duke u bazuar në planin strategjik të KOK-ut, ndërtimin e një sistemi të mirë të punës, shkëmbimit të përvojave me Komitetet tjera olimpike, etj.

Presidenti Sheikh Al Sabah, u ndje i ngazëllyer me vizitën e tij të parë në Kosovë, derisa kujtoi takimet e para me presidentin Hasani. I pari i ANOC-ut, Al Sabah premtoi përkrahje për KOK-un dhe sportistët tanë, duke konfirmuar se sporti duhet të shërbejë si model për një shtet.

Al Sabah është edhe president i Federatës Aziatike të Hendbollit, kryetar i Kongresit Sportiv të Këshillit Olimpik të Azisë dhe kryetar i Solidaritetit Olimpik të Këshillit Olimpik të Azisë.

Gjatë bashkëbisedimit, presidenti Hasani shtjelloi edhe problemin e pajisjes me vizë të sportistëve tanë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, ku Al Sabah sugjeroi të gjitha federatat që ta ngritin zërin në momentin kur një shtet aplikon për organizime të kampionateve të tilla dhe të kërkohet me shkrim që ai shtet do të lejojë pjesëmarrjen e të gjithë garuesve.

Gjatë ditës së nesërme (e hënë), Al Sabah do të pritet nga kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ministri i MKRS-s, Kujtim Gashi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme