Manchester City e turpëron Manchester United në Old Trafford, fitorja e 14-të rresht në ligë

19:33 | 10 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Manchester City ka fituar derbin e madh lokal ndaj rivalit të urryer, Manchester Unitedit, të cilët i mposhti në udhëtim me rezultat 2-1.

Skuadra e Pep Guardiolas ka arritur të fitojë derbin e qytetit ndaj Unitedit të Jose Mourinhos, të cilët i mposhtën në një ndeshje të fortë dhe mjaft të luftuar, duke ia shkaktuar humbjen e parë në shtëpi Djajve të Kuq, pas 14 fitoreve radhazi që patën në Old Trafford.

Pjesa e parë e takimit u karakterizua me një dominim të lehtë të Qytetarëve, të cilët rrezikuan më shumë, por që të dy skuadrat shënuan nga një gol.

Të parët në epërsi kaluan pikërisht mysafirët e Cityt, të cilët në minutën e 43-të shënuan me anë të spanjollit, David Silva që shënoi për 1-0.

Megjithatë, në minutat shtesë të kësaj pjese ishte Marcus Rashford, i cili shënoi një gol të bukur për t’i dërguar skuadrat në pushim me rezultat të barabartë 1-1.

Edhe pjesa e dytë foli në të mirët të Cityt, të cilët rrezikuan më shumë dhe gjeten shpejt golin e epërsisë, përcjellë Telegrafi.

Ishte mbrojtësi argjentinas, Nicolas Otamendi, që shënoi në minutën e 54-të nga afërsia për 2-1, pas një gabimi në mbrojtjen e Unitedit.

Deri në fund të takimit, Djajtë e Kuq u munduan shumë të shënojnë dhe të barazojnë rezultatin, por nuk patën sukses dhe në fund ishin City që iu gëzuan një fitore të madhe 2-1 ndaj rivalit të urryer lokal.

Pas kësaj fitore, City vazhdon të kryesoj kampionatin pa humbje me 46 pikë të mbledhura, ndërsa Unitedi e ndjek në vendin e dytë me 11 pikë më pak, pra 35.

Në ndeshjen e ardhshme, Unitedi e pret në shtëpi Bournemouthin, ndërsa City udhëton te Swansea. /Telegrafi/

Të ngjashme