Google ADS

Rreth 30 mijë vetura të vjetra hynë sivjet në Kosovë

11:10 | 10 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Qytetarëve të Kosovë iu kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri kur do të mund të importojnë vetura të vjetra. Kjo pasi nga janari i vitit 2018 nuk do të mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vite dhe ato do të duhet të plotësojnë standardin e njohur si ‘euro katër’ .

E duket se ky vendim ka ndikuar te qytetarët kogja shumë, pasi që nga dogana thonë se është rritur për 30 për qind importi i veturave të vjetra.

“Këtë vit kemi parë një rritje me mbi 30% më shumë import të automjeteve të përdorura pasi që vitin e kaluar kishin 21,620 automjete”, thuhet në përgjigjet e Doganës për Gazetën Fjala.

Prej rreth 30 mijë veturave sa kanë importuar kosovarët këtë vit, vetëm 2 mijë e 500 prej tyre kanë qenë të reja. Ndërsa më shumë se 27 mijë janë të përdorura.

“Numri total deri në fund të muajit nëntor si vetura të reja po ashtu edhe ato të përdorura është rreth 30.000 mijë sosh, ku të reja janë rreth 2500 vetura kurse të tjerat janë të përdorura”.

Kështu thuhet së paku në përgjigjet që ka dhënë  zëdhënësi i  Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

Sipas të dhënave të doganës, vlera e veturave të vjetra është rreth 127 milionë euro. Mirëpo, nga tërë taksat e paguara për import tëtë gjitha veturave, Dogana ka grumbulluar rreth 70 milionë euro.

“Taksa të paguara ishin rreth 70 milion”, ka thënë Stavileci.

Veturat u nënshtrohen kontrolleve doganore

Por, nuk mungon edhe importi i veturave të reja. E në rritjen e importit të këtyre veturave, ndikim të madh del të ketë pasur edhe Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA).

“Nga 20026 copë vetura të importuara  afër 2500 janë automjete të reja, vlen të theksohet se që nga futja e Kosovës në marrëveshjen e MSA-së kemi rritje të importit të veturave të reja me mbi 100% në krahasimet me vitet para MSA-së”, ka shtuar Stavileci.

Kjo pasi që veturat e reja që importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian, nuk paguajnë taksën doganore nga vlera e përgjithshme e automjetit.

Kurse për veturat e përdorura, taksa doganore paguhet 9 për qind nga 10 për qind sa ka qenë më herët. Të gjitha veturat në Kosovë importohen nga shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, kurse çmimi varet nga marka dhe viti i prodhimit të veturës.

Këto vetura u nënshtrohen disa kontrolleve doganore.

“Dogana aplikon kontroll në aspektin e vlerësimit, tarifimit dhe përputhjes së deklarimit të palëve me gjendjen faktike të veturës me qëllimin e mbledhjes adekuate të taksave doganore”, ka thënë Stavileci për Gazetën Fjala.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet.

Ndërsa, vetëm në vitin e kaluar janë regjistruar 7 mijë 680 vetura, këtu përfshihen regjistrimet e reja, regjistrimet e përkohshme, vazhdimet, ri-regjistrimet dhe legalizimet.

Importi më i madh nga Gjermania

Kosovarët siç duket janë të pasionuar pas veturave që importohen nga Gjermania. Rreth 75% e të gjitha automjeteve të importuara janë me origjinë gjermane.

Tipi i cili dominon është ai dizel. Gjithsej 12 mijë e 855 vetura të përdorura të këtij tipi kanë hyrë nga Gjermania në Kosovë gjatë vitit 2015. Vlera totale e tyre arrin mbi 31 milionë euro.

Vendi i dyte nga i cili importohen vetura për në Kosovë është Franca me rreth 1 mijë e 228 vetura, pasuar nga Zvicra dhe Italia. E vendet për të cilat kosovarët nuk kanë interesim për t’i përdorur veturat e tyre, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës po del të jenë, Austria, Meksiko, Belgjika.

Në anën tjetër, edhe mesatarja e veturave që janë në shitje në tregun e Kosovës është mjaft e vjetër. Sipas të dhënave që ofron gjirafa.com, në tregun e Kosovës janë në shitje mbi 37 mijë vetura.

Sa i përket kilometrave të kaluara, del se mesatarja e kilometrave të kaluara të veturave në shitje në Kosovë është 126,669 – 162,481 kilometra. Kjo tregon se veturat që janë në shitje në tregun e Kosovës janë kryesisht të vjetra dhe mjaft të konsumuara.

Kur i shtohet kësaj fakti se mesatarja e vjetërsisë së veturave të regjistruara edhe ashtu është mjaft e lartë (18.1 vjet), del se përveç pasojave në ambient dhe në trafikun rrugor, Kosova mund të përballet edhe me një sasi të madhe të skrapit në vitet në vazhdim.

Ne Kosovë janë 1116 lloje të veturave të regjistruara, prej të cilave 10 markat më të preferuara të kosovarëve janë: VË, Opel, Mercedes-Benz, Audi, Ford, Renault, Peugeot, Fiat, BMË dhe DaimlerBenz.

Ligji i ri: Pa patentë shofer s’ka regjistrim të veturave

Ligji për importin e automjeteve është ndryshuar disa herë. Fillimisht u lejua të importoheshin automjete deri në 8 vjet të vjetra, pastaj më 2011 u shtua deri në 13 vjet, për t’u hequr i tëri tash e disa vjet.

Mirëpo me ligjin e ri, jo çdo kush tani mund të ketë veturë në pronësi. Kjo pasi që ligji i ri për automjete që ka hyrë në fuqi më 27 qershor 2017, ka sjellë ndryshime në disa norma për regjistrimin e automjeteve.

Këto ndryshime në normat për regjistrimin e automjeteve i ka bërë të ditura Ministria e Punëve të Brendshme.

Në bazë të këtij ligji detyrimisht pronari i automjetit, me rastin e regjistrimit duhet të posedoj patentë-shofer. “Përdoruesi i mjetit ose bartësi i të drejtës së përdorimit të mjetit mund të jetë vetëm personi i cili posedon patentë shoferin valid për kategorinë e mjetit që përdoret”, thuhet në ligjin për automjetet.

Ata që kanë gjoba të pa paguara në komunikacion do të duhet t’i paguajnë, ndryshe nuk do të mund të regjistrojnë veturën. Me hyrjen e këtij ligji në fuqi ka ndryshuar edhe çështja e regjistrimit të veturës më rastin e ndërrimit të pronësisë. “Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”.

Tani, pasi që të ndërrohet pronësia e automjetit, shitësi i automjetit obligohet që ta çregjistroi automjetin.

Por, edhe pasi që pronari i automjetit dëshiron që ta çregjistrojë automjetin e ri, me këtë ligj i jepet e drejta që të ruajë targat për një vit, për automjetin e njëjtë.

Me këtë ligji po ashtu është bërë e ditur se pronari i mjetit duhet t’i ndërroj targat e regjistrimit me të reja nëse njëra nga targat i ka humbur, dëmtuar, shkatërruar, amortizuar deri në atë masë që bëhet e papërdorshme. “Dënohet me gjobë nga njëqind (100) € personi i cili vepron në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni”./Gazeta Fjala/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme