Google ADS

Bedri Hamza nuk arrin të bashkojë Doganën dhe ATK-në këtë vit

08:51 | 10 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Bashkimi i Administratës Tatimore dhe Doganës së Kosovës në një institucion të vetëm do të ndodhë në fillim të vitit 2018 dhe se ky proces do të zgjasë më shumë se një vit, shkruan arbresh.info.

Drejtori i zyrës së informimit në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini ka thënë për arbresh.info, se ky proces tashmë me marrjen e mandatit të ministrit të ri, Bedri Hamza ka një qasje të re.

Sipas tij, ky proces do të zgjasë më shumë se një vit.

“Me marrjen e mandatit nga ministri Hamza kemi një qasje të re për këtë proces për të cilin janë duke u bërë përgatitjet. Ky është një proces që zgjatë më shumë se një vit. Do të fillojë në vitin 2018 me qëllim të luftimit të ekonomisë jo formale, luftimit të korrupsionit dhe që është më e rëndësishme për ta ndihmuar lirimin e bizneseve nga burokracia,dhe se qëllimi është që të fitojë shteti dhe biznesi nga procesi i bashkimit”, ka thënë ai.

Shahini, ka folur edhe për atë se ku kanë mbetur procedurat rreth këtij procesi. Sipas tij pritjet nga bashkimi i këtyre dy institucioneve janë të mëdha.

“Ne kemi mbledhur të dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtarë dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, do të konsultohemi edhe me komunitetin e  biznesit, me pas në fillim të vitit të ardhshëm ekipa e ministrit që do të jenë të huaj dhe vendor, do të bëjnë përgatitjet për bashkim të departamenteve të caktuara. Po pritjet janë të mëdha sidomos në luftimin e informalitetit dhe thjeshtëzimin e procedurave tatimore për biznesin”, ka pohuar Shahini.

Për këtë çështje për arbresh.info kanë folur edhe përfaqësuesit e dy agjencive të cilat edhe pritet të bëhen në një të vetme në vitin tjetër.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, ka deklaruar se bashkimi i këtyre dy institucioneve i përket Ministrisë së Financave, duke shtuar se si palë përfshirëse në këtë proces do të implementojnë çdo projekt që vjen nga Qeveria e vendit.

“Ky është një proces i Qeverisë përkatësisht i Ministrisë së Financave dhe për më shumë ju kisha rekomandu t’i kontaktoni Ministrinë e Financave . Ne jemi agjenci që i implementojmë projektet që janë në kuadër të Qeverisë, në kuadër të Ministrisë së Financave’, ka thënë ai.

Të njëjtën përgjigje për arbresh.info e kanë dhënë edhe nga Dogana e Kosovës.  Zëdhënësi i këtij dikasteri Adriatik Stavileci ka thënë se ky proces nuk varet nga dogana, duke shtuar janë agjencion që do të zbatojnë çdo vendim që merret nga Qeveria.

“Për këtë çështje duhet të bisedoni me Ministrinë e Financave, ne jemi vetëm pjesë e një procesi të cilin e udhëheq Ministria e Financave. Nuk varet asgjë prej Doganës. Ne si doganë jemi agjencion që i zbatojmë ligjet dhe nuk dalim jashtë parimeve dhe procedurave që i përcakton Qeveria , në këtë rast Ministria e Financave”, ka thënë ai.

Për njohës të ekonomisë në vend, ky proces i bashkimit të këtyre dy institucioneve duhet të ndodhë për shkak që siç thonë ata që të dyja janë shtyllat kryesore të mbushjes së arkës së shtetit.

Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë thotë për arbresh.info se në vitin 2018 pret bashkimin e këtyre dy institucioneve, duke pohuar kjo gjë do të ketë edhe ndikim pozitiv e sidomos në luftimin e evazionit fiskal

“Mendoj që ka ndikim të madh pozitiv, sidomos në luftimin e evazionit fiskal, koordinimit më të mirë për mbledhjen e të hyrave të shtetit, kontrolli më i mirë i bizneseve, pastaj efikasitet më të madh në dogana e çështje të tjera. Në anën tjetër besoj se do t’i përmirësoj shërbimet karshi bizneseve dhe tatimpaguesve me lehtësirat që parashihet t’i ketë biznesi dhe tatimpaguesi’, ka thënë ai.

Sipas ekspertëve, TVSh-ja duhet të mblidhet në kufi e jo në mënyrën siç është duke u praktikuar tash. Ata thonë se bashkimi i ATK-së dhe Doganës, do të ishte hap i mirë drejt rritjes së qëndrueshme të buxhetit dhe luftimit të korrupsionit./J.Zhuniqi/arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme