Ç’kyçen semaforët te Qafa, Policia dhe Komuna fajësojnë njëra tjetrën

10:46 | 9 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Semafori në udhëkryqin që lidh rrugët “UÇK” me atë “Luan Haradinaj”, përkatësisht tek “Qafa” tash e një kohë nuk funksionon e kjo po shkakton tollovi komunikacioni në pjesët kryesore të kryeqytetit por edhe rrezikshmëri për këmbësorët, shkruan arbresh.info.

E pyetur për mungesën e semaforëve në këtë udhëkryq, Komuna e Prishtinës i ka thënë arbresh.info se ata janë ç’kyçur me kërkesë të Policisë së Kosovës.

Semafori në udhëkryqin e rrugës UÇK është ç’kyçur prej funksionimit me kërkesë të Policisë se Kosovës. Qarkullimi i veturave dhe këmbësoreve në atë pjesë është rregulluar me shenjëzim horizontal e vertikal, me përparësi kalimi sipas Udhëzimit Administrativ për komunikacionin rrugor”, ka thënë për arbresh.info, zëdhënësja e komunës, Miranda Mullafazliu.

Ajo ka thënë se të gjithë semaforët janë funksional në tërë kryeqytetin.

Në Komunën e Prishtinës te gjitha nyjet semaforike janë funksionale dhe mirëmbahen rregullisht nga zyrtaret përkatës”, ka shtuar ajo.

Policia e Kosovës e ka mohuar se ka kërkuar ç’kyçjen e këtij semafori duke shtuar se e vetmja që ata kanë kërkuar është sinkronizimi i tij për mbarëvajtjen e trafikut.

Na si polici kemi kërkuar sinkronizim për semaforin në fjalë ndërsa pjesa tjetër është pjesë e komunës”, ka thënë Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.
Ajo ka thënë se nga komuna janë njoftuar se ky semafor është shkyçur për shkak të disa punimeve në këtë pjesë.

Na jemi njoftuar që kjo është ç’kyç për shkak të disa punimeve e ato punime kanë përfunduar dhe nuk e di pse nuk e kanë ndezë përsëri”, ka thënë ajo.

Ahmeti ka thënë se Policia ka kërkuar nga komuna vetëm që të mos lihen shumë minuta të qarkullimit për automjete në semaforët e kësaj rruge për shkak të krijimit të kolonave të gjata si pasojë e kësaj.

Ndërkohë qytetarët kanë thënë se në këtë pjesë është i nevojshëm një semafor pasi që do të rregullonte komunikacionin dhe do të shmangte rreziqet nga aksidentet.
Qëndrimet e qytetarëve mund t’i shihni në videon më poshtë./R.Rexhepi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme