Pushimet s’kanë të ndalur, Ligji për Festat Zyrtare i mbetet 2018’ës

07:24 | 8 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka numrin më të madh të festave zyrtare.

Në kalendarin e festave zyrtare në Kosovë janë të përfshira njëmbëdhjetë festa si Viti i Ri-1 dhe 2 janari, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti,  Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji, Dita e Evropës, 9 Maji, Bajrami i Madh, dita e parë, Bajrami i Vogël, dita e parë, Krishtlindjet Katolike, 25 dhjetor, Krishtlindjet Ortodokse, 7 janar, Pashkët Katolike, E hëna e Pashkëve, Pashkët Ortodokse, E hëna e Pashkëve.

Mirëpo pavarësisht pse është caktuar që në ditën kur qëllojnë këto festa të jetë ditë pushimi, shumë herë bëhet edhe lidhja e ditëve festive me ditët e fundjavës, duke bërë kështu që institucionet shtetërore të pushojnë me ditë të tëra.

Përveç kësaj, me ligjin aktual, nëse festa i bie të jetë në ditë të shtunë ose të dielë, atëherë bëhet kompensimi i saj në një ditë të punës, që zakonisht bëhet të hënave.

Në vitin 2016 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës u kërkua që Ligji aktual i Festave Zyrtare të rishikohet dhe të ndryshohet, në mënyrë që të shkurtohet një numër i festave të cilat aktualisht festohen në Kosovë.

E ndryshimi i këtij ligji, vitin e kaluar u tha se do t’i dërgohet Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim. Mirëpo ky komision ende edhe sot e kësaj dite nuk ka marrë asgjë.

“Ende asgjë nuk ka ardhur në Komisionin tonë. Nëse vije e shqyrtojmë por s’kemi asgjë konkrete”, ka thënë për portalin arbresh.info Fadil Beka, anëtar i këtij komisioni.

Zeqir Bekolli nga Ministria e Administratës Publike ka thënë për arbresh.info se ky ligj do të vendoset në planin legjislativ të vitit të ardhshëm, duke diskutuar me palët e interesit.

“Ministria e Administratës Publike, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit janë në diskutim që këtë ligj ta vendosim në Planin legjislativ të vitit 2018. Se çka më konkretisht do të bëhet, do të vendoset më vonë në bashkëpunim me palët e interesit, bizneset, shoqërinë civile, e tjera”, është shprehur ai.

Artan Murati nga KDI në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se procesi i punës nuk duhet të ndërpritet dhe se sipas tij duhet t’i kushtohet vëmendje parësore punës para pushimit.

“Në përgjithësi Kuvendi i Republikës së Kosovës trajtimin e ligjeve e ka bërë në mënyrë më të vonuar dhe jo vetëm me fajin e vet sepse në të shumtën e rasteve sponzorisues i projektligjeve është Ekzekutivi. Janë rastet shumë të rralla kur Ekzekutivi i dërgon në Kuvend projektligjet në kohen kur është paraparë të dërgohen dhe ka vonesa në këtë aspekt. Kështu që normalisht Kuvendi i trajton vetëm atëherë kur i merr nga ekzekutivi”, ka thënë ai.

Sipas tij duhet zënë hapin me vendet tjera të rajonit sa i përket punës dhe kjo sipas tij, nuk mund të bëhet duke qëndruar në shtëpi dhe duke i lidhur festat.

“Projektligji sa i përket festave zyrtare për Kosovën dhe stazën e zhvillimit ku jemi si vend është me rëndësi që procesi i punës të mos ndërpritet dhe t’i kushtohet vëmendje parësore punës para pushimit pasi që dihet se kemi shumë punë për të bërë për shkak edhe të bllokadave politike  dhe ngecjeve tjera në sektorë të ndryshëm. Neve na duhet ta zëmë hapin me vendet  tjera të rajonit por edhe ta përmirësojmë jetën e qytetarëve të Kosovës dhe kjo gjë normalisht që nuk mund të bëhet duke qëndruar në shtëpi dhe duke i lidhur festat njëra me tjetrën”, ka thënë ai.

Murati po ashtu tha se është hap pozitiv nëse ndryshohet ky ligj.

Sipas tij, duhet t’i kushtohet vëmendje më tepër procesit të punës dhe puna të bëhet në mënyrë efikase.

Ai tha se nuk është e domosdoshme tendenca nga Qeveria që të shpërfaqë se po punohet edhe vikendeve ose jashtë orarit të punës.

Çështja e numrit të madh të festave zyrtare në Kosovë dhe lidhja e tyre me ditë të punës ka nxitur shpeshherë reagime nga shoqëria civile./V.Berisha/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme