Pakësohet sasia e prodhimit në KEK

09:05 | 12 Korrik 2015
Arbresh.info

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike – KEDS, pas informatave që ka marrë nga Korporata Energjetike e Kosovës – KEK për probleme me prodhimin e energjisë elektrike në ditët në vijim, ka bërë një apel te konsumatorët që, sidomos meqë jemi në prag të festës së Bajramit, të shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale.

Në pritje të kthimit të njësisë A5 të KEK në prodhim, ashtu siç ka qenë paralajmëruar dhe planifikuar për dje, mëngjesin e djeshëm KEDS është lajmëruar për ndërprerje të përkohshme të prodhimit në njësinë B1 në KEK që do të bëhet nga dita sotme, e diel 12 korrik. Informata nga KEK-u ka qenë se kjo ndërprerje bëhet me qëllim të riparimit emergjent dhe se njësia pritet të kthehet në prodhim ditën e mërkurë, më 15 korrik.

“Si gjithnjë, ne kemi përfunduar procedurat e importit të kushtueshëm të energjisë elektrike me qëllim që kjo ndërprerje të mos ndikojë në furnizimin e rregullt me energji elektrike dhe me qëllim të mbulimit të mungesës së kapaciteteve energjetike për shkak të ndërprerjes se punës së njësive prodhuese në KEK, duke shpresuar që prodhimi në njësinë A5 të rifillojë sa më shpejtë që është e mundur.

Në ndërkohë, duke qenë se jemi në prag të festës së Bajramit kur konsumi rritet jashtëzakonisht shumë, i lusim të gjithë konsumatorët të shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë racionale e me përgjegjësi. Kursimi, përveç që ndihmon sektorin e energjisë në këto ditë të vështira, reflekton edhe në faturat mujore të secilit konsumatorë”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme