Kryetari Lladrovci me asamblistët e rinj të Drenasit, pas betimit vizitojnë Prekazin

17:52 | 7 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Pas dhënies së betimit për mandatin e ardhshëm, kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, së bashku me asamblistët e rinj të asamblesë komunale, ka vizituar Kompleksin memorial të Jasharajve dhe varrin e komandantit legjendar, Adem Jashari, ku së bashku bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule.

Gjatë kësaj vizite të udhëheqësve të Drenasit në Prekaz, shoqërimin e bëri kryetari i zgjedhur i Skënderajt, Bekim Jashari.

Lidhur me këtë ngjarje kujtese e krenarie, Lladrovci ka thënë se “sot, filloi kapitulli i ri në qeverisjen e re të Drenasit, për mandatin e ardhshëm, me zotimet e njohura: ligj, transparencë e llogaridhënie. Së bashku me asamblistët do ta bëjmë Drenasin më të mirë. Po ashtu, me Kryetarin Bekim Jashari, do ta bëjmë edhe Drenicën më të mirë, ashtu siç e duan qytetarët”.

Gjatë homazheve në Prekaz, kryetari Lladrovci tha se “pas betimit solemn para Asamblesë së re të Komunës së Drenasit, të gjithë së bashku erdhëm te Memoriali i Jasharajve në Prekaz dhe vendosem lule pranë vendit ku prehet Komandanti legjendar, Adem Jashari dhe anëtarët tjerë të kësaj familjeje të lavdishme.

Sot, filloi kapitulli i ri në qeverisjen e re të Drenasit, për mandatin e ardhshëm, me zotimet e njohura: ligj, transparencë e llogaridhënie. Së bashku me asamblistët do ta bëjmë Drenasin më të mirë.

Po ashtu, me Kryetarin Bekim Jashari, do ta bëjmë edhe Drenicën më të mirë, ashtu siç e duan qytetarët. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit! Lavdi e përjetshme Komandantit legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari!”/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme