Blindohet Athina, shkak vizita e Erdoganit

00:06 | 7 Dhjetor 2017
Trina Galanxhi

Recep Tayyip Erdogan nis nesër vizitën zyrtare në Athinë, e para vizitë e një presidenti turk që nga viti 1952. Erdogan do të mbërrijë në aeroportin ‘Elefteros Venizellos’ në orën 10:30.

Takimin e parë do ta zhvillojë me homologun grek Pavlopulos, ndërsa në orën 13:00 pritet në takim nga kryeministri Alexis Tsipras, me të cilin do të dalë edhe në konferencë për shtyp. Por përtej thyerjes së embargos, kjo vizitë po përflitet më së shumti edhe për masat e ashpra të sigurisë. Kryeqyteti grek do të ‘blindohet’ për dy ditë nga forcat e sigurisë greke, por edhe ato turke. Mbi 3 mijë oficerë greke janë në terren për të garantuar sigurinë.

Shto këtu edhe 200 roje të gardës personale të Erdogan, si dhe qindra agjentë të tjerë sekretë që jajnë vendosur tashmë në kryeqytetin grek prej ditësh. Gjatë takimeve që Erdogan do të zhvillojë me zyrtarët e lartë në Athinë, do të diskutohet për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, energjinë, emigracionin, marrëdhëniet Turqi-Evropë, zhvillimet rajonale e rreziqet nga terrorizmi. Të premten është parashikuar edhe një takim me komunitetin mysliman në në Komotini, në rajonin e Thrakës. Një çështje e nxehtë që pritet të diskutohet mes Erdogan dhe krerëve të shtetit grek është dorëzimi i ushtarakëve turq të cilët u arratisën pas grushtit të shtetit.

Turqia kërkon ekstradimin e tyre, ndërsa kryeministri grek Alexis Tsipras është shprehur sot se ai respekton vendimet e gjyqësorit dhe se puçistët nuk mirëpriten në Greqi. Pikë tjetër e diskutimit mes dy palëve është ndërtimi i xhamisë në Athinë, projekt i cili është pezulluar për shkak të krizës që përfshiu Greqinë. Për të garantuar vizitën e presidentit turk, autoritetet greke kanë thënë se çdo manifestim apo protestë në Athinë është e ndaluar për dy ditët e ardhshme. Masat e ashpra të sigurisë vijnë edhe pas arrestimit një javë më parë të 9 personave me origjinë turke, pasi dyshohet se ata po planifikonin një sulm terrorist ditën kur Erdogan do të vizitonte Athinën. Të arrestuarit kishin lidhje me partinë kurde./lapsi.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme