Google ADS

Bulliqi: Nuk votohet raporti ynë, votohet ai i ish-komisionit shtetëror

00:06 | 6 Dhjetor 2017
Trina Galanxhi

Kryetari i Komisionit të ri shtetëror për shenjëzimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, Shpejtim Bulliqi, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se puna e ekipit të tij nuk është që të caktojë kufirin mes Kosovës e Malit të Zi, por të analizojë punën e ish-Komisionit shtetëror, të udhëhequr nga Murat Meha.

Ai ka thënë se Komisioni që e udhëheq ka hasur në shumë mangësi dhe pasaktësi të ish-Komisionit. Sipas tij, Komisioni nuk ka marrë parasysh dokumente kadastrale e as harta topografike, të cilat janë bazë për shënjimin e një kufiri mes dy vendeve.

“Raporti ynë nuk votohet, votohet raporti i komisionit paraprak”, ka thënë Bulliqi.

“Ne nuk kemi qenë të thirrur për të caktuar vijën e kufirit, ne jemi punësuar për të bërë një analizë të punës së ish-komisionit. Unë nuk e kam pasur për obligim që të caktojë vijë të kufirit. Unë kam kryer një shërbim profesional dhe me përgjegjësi të plotë, sepse nuk janë materiale që i kemi prodhuar ne, por janë materiale burimore”, ka thënë Bulliqi.

Sipas Bulliqit, ish-Komisioni nuk e ka ruajtur vijën administrative që ka ekzistuar ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, përkatësisht një kohë mes Serbisë dhe Malit të Zi.

“Jemi ndalur te kontrolli efektiv i kufirit. Ne për më se 70 vjet e kemi menaxhuar atë territor [të kontestuar te Kulla], deri në vitin 2009. Mali Zi kërkoi nga Kosova që të heqë dorë nga territori i saj. Ky është fakti i ri, por kemi fakte sistematike të kontrollit efektiv. E kemi marrë ndërtimin e rrugës Vitomiricë-Kullë-Rozhajë. Një segment i kësaj rruge nga Savinovoda (Gurrat e Sakut) deri te Kulla ishte paguar nga mjetet e Qeverisë së Kosovës. Tash kjo pjesë e rrugës nga Qeveria malazeze konsiderohet e saj dhe ne nuk e mirëmbajmë”, ka theksuar Bulliqi.

Në vazhdim ai ka treguar edhe një dëshmi të viteve 80, në të cilën dëshmohet, gjithnjë sipas tij, se një blegtor i komunës së Pejës ishte dënuar për një kundërvajtje në një pjesë që atëherë konsiderohej pjesë kadastrale e Pejës dhe tani me marrëveshjen e ish-komisionit është tokë e Malit të Zi. Kjo dëshmon, sipas tij, se ish-komisioni ka lëshuar pe dhe nuk ka marrë parasysh fakte dhe dëshmi që thonë se Kosova ka humbur territor.

Në vazhdim të bisedës, Bulliqi është shprehur i bindur se gjetjet e Komisionit, të cilin ai e udhëheq, janë të sakta dhe valide. Ai njëkohësisht ka theksuar se ky komision nuk ka për detyrë të akuzojë dhe denoncojë askënd që deklarohet lidhur me kufirin.

Duke folur për kritikat që presidenti Hashim Thaçi ia ka bërë Komisionit të Bulliqit, ky i fundit ka thënë se respekton presidentin, por sipas tij, për demarkacionin duhet të vendos sovrani./koha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme