Rama-Basha në Bruksel, lexime të ndryshme për zhvillimet në Shqipëri

22:01 | 5 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Rama-Basha në Bruksel, në të njëjtën ditë, vetëm 500 metra larg njëri-tjetrit, i lë vend imagjinatës për një Detantë, një vendtakim neutral, për të shoshitur mosmarrëveshjet e përditshme.

Por, deklaratat e tyre publike edhe në Bruksel, tregojnë se dy liderët e politikës shqiptare vazhdojnë të flasin gjuhë të ndryshme, kur bëhet fjalë për zhvillimet në Shqipëri.

Edi Rama u takua në Bruksel me Federica Mogherinin që u tregua e pakursyer në lëvdata për kryeministrin shqiptar:

“Nën lidershipin e tij, Shqipëria ka bërë një punë të jashtëzakonshme, veçanërisht në Reformën e Drejtësisë, luftën kundër drogës dhe korrupsionit, një punë që ne e mbështesim e që duhet të vazhdojë përpara dhe kjo është një punë që mund të hapë rrugën drejt hapave të mëtejshëm të procesit të integrimit në BE. Jam e lumtur që kam përsëri këtë mundësi për të diskutuar së bashku mënyrën se si këto hapa mund të shndërrohen në një opsion të vërtetë në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të BE.

“Faleminderit dhe është një kënaqësi si gjithmonë që të vij t’iu takoj, veçanërisht në këtë moment kur ne shpresojmë në një rezultat pozitiv të të gjithë përpjekjeve të përbashkëta me fillimin e negociatave të anëtarësimit, u shpreh Rama.

Por në Bruksel ishte edhe Lulzim Basha, që udhëtoi dhe u kthye me tjetër linjë. Në takimet e zhvilluara në dy godina as 500 m larg njëra- tjetrës, qëndrimet që u përcollën nga dy liderët e politikës shqiptare vazhduan të ishin të ndryshme. Pas Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, optimizmin e kryeministrit Rama për çeljen e negociatave të anëtarësimit e mbështeti edhe Federica Mogherini.

Kurse Lulzim Basha, gjatë takimit me familjen e tij politike europiane PPE, tha se tha se gjeti skepticizëm për avancimin e Shqipërisë. Sipas

“Kjo është një gjendje jashtëzakonisht e papëlqyeshme për ne si opozitë. Natyrisht, interesi ynë është interesi kombëtar, interesi i qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk e meritojnë të ndëshkohen, të njollosen, të damkosen per diçka që në fakt ka qenë një projekt i një grupi të ngushtë pushtetarësh dhe kriminelësh me qëllim pushtetin dhe pasurimin e tyre”, tha Basha.

Basha përsëriti edhe në Bruksel se situata në Shqipëri do të ndryshonte për mirë vetëm nga një qeveri anti-mafia. /Top Channel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme