Një klub i paintball-it – një lojë sportive që shfrytëzon topa me ngjyra dhe uniforma për të simuluar beteja – në Bosnjë dhe Hercegovinë, ka njoftuar se do ta padisë një rrjet televiziv, pas raportimeve se klubi është një njësi paramilitare që po formohet jashtëligjshëm nga anëtari i Presidencës së vendit, Bakir Izetbegoviq.
Përplasja filloi kur gazeta nga Beogradi, Vecernje Novosti, raportoi më 25 nëntor se Izetbegoviq ka trajnuar jashtëligjshëm më shumë se 9 mijë boshnjakë.
Televizioni ATV në Banja Llukë, që ndodhet në Republikën Srpska, ka shkuar edhe një hap më larg, duke shfaqur fotografi të milicisë, për të cilat ka thënë se i ka siguruar në mënyrë ekskluzive.
Fotografitë shfaqin disa burra të veshur me rroba ushtarake dhe duke mbajtur armë – për të cilat klubi thotë se janë armë ajri, që hedhin topa të butë të mbushur me ngjyrë.
Klubi “Crnja Munja”, ose Vetëtima e Zezë, i ka cilësuar raportimet si ‘gënjeshtra të neveritshme dhe trillime’ që janë bërë nga ana e mediave, pa ndonjë tentativë për të verifikuar vërtetësinë e lajmit.
“Për këtë arsye, dhe për faktin se klubi jonë është më i madhi dhe më i famshmi në Bosnjë dhe Hercegovinë, ne besojmë që gazetarët nga ky televizion nuk e kanë publikuar rastësisht artikullin kundërthënës, por se prapa gjithë këtij rrëfimi qëndrojnë faktorë të tjerë, që kanë për qëllim krijimin e frikës e panikut te qytetarët e Bosnjës dhe Herzegovinës”, ka thënë ky klub në një njoftim për medie.
“Klubi tashmë e ka raportuar televizionin e përmendur tek Agjencia e Rregullatorit të Komunikimeve të Bosnjës, të cilët i kemi njoftuar për materialin kundërthënës. Ne nuk do të ndalemi vetëm me kaq, dhe po përgatisim një padi gjithëpërfshirëse, për shpifje dhe dëmtim të reputacionit, dhe shkaktim të dëmit ekonomik për klubin tonë,” thuhet tutje në njoftim.
Bosnja ka qenë e dëmtuar nga tensionet e brendshme në mes të boshnjakëve– popullsisë myslimane boshnjake – kroatëve dhe serbëve.
Ky vend ka qenë pjesë e Jugosllavisë deri në shpërbërjen e shtetit komunist në fillimin e viteve 1990, dhe ka shpallur pavarësinë në mars të vitit 1992, duke shkaktuar një luftë civile në mes të popullsive myslimane, kroate e serbe.
Lufta, që përfundoi pas intervenimit ndërkombëtar në dhjetor të vitit 1995, shkaktoi vdekjen e rreth 100 mijë njerëzve dhe zhvendosjen e rreth 2.6 milionë të tjerëve.
Në raport, televizioni ATV e ka pyetur Izetbegoviqin nëse ai është duke formuar një njësi paramilitare, por ai nuk e konfirmon dhe as a mohon një gjë të tillë, duke thënë se “asnjëherë nuk do të ketë problem nga ne”.
Agjencia Shtetërore e Hetimit dhe e Mbrojtjes e Bosnjë e Hercegovinës ka thënë se nuk ka “njohuri rreth formimit të milicive paralele/sekrete në vend, që pretendohet se po koordinohen nga një anëtar i Presidencës boshnjake”.
Bazuar në faqen e Facebook-ut, Klubi është një “organizatë joprofitabile, joqeveritare, që e promovon paintball-in si sport”.
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1995, Bosnja është ndarë në dy entitete – Republika Srpska dhe Federata kroate-myslimane. /REL
Shqipëria pranohet si Vëzhguese në Rrjetin Evropian të Admin...
Kush do të largohet e kush “rikthehet”? Sonte ju pret një pr...
Kosovarët pa viza edhe në Tajvan
Osmani bashkë me Hovenierin dhe ushtarët në kampin Bondsteel...
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...