Google ADS

Dënohet me 600 euro gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

16:30 | 5 Dhjetor 2017
M. A.

Gjykata Themelore në Ferizaj, të martën, ka shpallur aktgjykim dënues me gjobë në shumë prej 600 eurosh, ndaj të akuzuarit për armëmbajtje pa leje, Zvonko Mihajloviq.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari i çështjes Ilir Bytyqi, pas pranimit të fajësisë nga ana e të pandehurit.

Dënimin me gjobë prej 600 eurosh, tani i dënuari Mihajloviq është urdhëruar që ta paguaj 15 ditë, pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm, në të kundërtën dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet në dënim me burgim dhe atë një ditë burg për 20 euro gjobë të papaguar.

Kundër këtij aktgjykimi palët janë njoftuar se kanë të drejtë ankese 15, ditë pasi që të njëjtin ta pranojnë në formë të shkruar.

Në seancën e së martës, pas leximit të akuzës nga prokurori i kësaj çështje Valdet Avdiu, i pandehuri e ka pranuar fajësinë për akuzën që i vihej në barrë. Ai ka shtuar se është penduar dhe se i vjen keq për veprën që e ka kryer.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Zvonko Mihajloviq akuzohej se nga koha e pacaktuar deri më 9 prill të vitit 2016, në shtëpinë e tij në Shtërpcë, ka poseduar armë pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin mbi armët.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri në shtëpinë e tij, kishte pasur në posedim një pistoletë “Ekol Tuna” me një karikator me 6 fishekë, një armë e prodhimit rus me tre karikator dhe 178 copë fishekë të kalibrit 5.6 mm, një radiolidhje, një maskë e fytyrës me ngjyrë të zezë, një thikë dhe tri uniforma ushtarake.

Këto armë dhe të gjitha pajisjet e tjera, të gjetura në shtëpinë e të pandehurit, me aktvendim të veçantë janë konfiskuar në mënyrë të përhershme nga gjykata./betimiperdrejtesi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme