Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) në rastin e njohur si “Badovci”, duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të shpallur më 19 korrik të këtij viti.
Apeli me aktgjykimin e nxjerrë më 24 tetor të këtij viti, ka hudhur poshtë edhe ankesat e paraqitura nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve.
Shkalla e parë kishte gjetur fajtorë për veprën penale, shtytje në kryerjen e veprave terroriste, të akuzuarit Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Enis Latifi. Fajtor ishte shpallur edhe Fehmi Musa, për veprën ndihmë në shtytje për kryerjen e veprave terroriste.
I akuzuar në këtë rast është edhe Betim Ibrahimaj, mirëpo i njëjti gjendet në arrati.
Besnik Latifi ishte dënuar nga Gjykata Themelore me 4 vjet e 6 muaj burgim, kurse Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj dhe Enis Latifi ishin dënuar me nga 3 vjet e 6 muaj heqje lirie. Fehmi Musa ishte dënuar me 3 vjet burgim.
Kundër këtij aktgjykimi, ankesë kishte paraqitur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe mbrojtësit e të dënuarve.
Prokuroria në këtë ankesë kishte konsideruar se janë plotësuar kushtet për dënimin e tyre për “përgatitjen e veprave penale të terrorizmit” dhe veprat penale “kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, duke përmendur betimin, i cili sipas organit të akuzës, ishte bërë te liqeni i Badovcit, siç thotë, për të zbatuar urdhrat për aktet terroriste.
Po ashtu, prokuroria në ankesë kishte konsideruar se dënimet janë shumë të ulëta dhe se rikualifikimi i veprës penale si “shtytje” nuk është dashur të ndodhë.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, aktgjykimi i shkallës së parë është i qartë dhe i kuptueshëm.
Në arsyetimin e aktgjykimit të shkallës së parë, sipas Apelit, janë dhënë arsye të mjaftueshme mbi të gjitha faktet vendimtare si dhe këto fakte janë vërtetuar drejtë dhe janë arsyetuar në mënyrë të plotë.
Gjithashtu, kolegji i Apeli vlerëson se aktgjykimi i Themelores nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale që pretendohen në ankesa.
Sipas Apelit, nuk ka kundërthënie mes dispozitivit dhe arsyetimit të aktgjykimit të shkallës së parë, se Gjykata Themelore ka bërë analizimin e të gjitha provave të administruara gjatë procesit gjyqësor dhe se lidhur me to ka paraqitur konkludimet e veta.
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore të mbrojtësve të akuzuarve lidhur me gjendjen faktike, gjykata e shkallës së parë drejtë i ka vlerësuar se nga shkresat e lëndës, dëgjimit të akuzuarve dhe provave tjera të administruara është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të lartë cekur.
Apeli në vendimin e tij thekson se dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë janë në funksion të parandalimit të kryesve nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, të bëjë rehabilitimin e tyre dhe të ndikoj edhe në personat tjerë që të mos kryejnë vepra penale.
Ky rast ishte kthyer në rigjykim, pasi që Gjykata Supreme, e kishte rrëzuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila i kishte dënuar Besnik Latifin, Gazmend Halitin, Milazim Haxhiajn, Enis Latifin dhe Fehmi Musën, për kryerje të veprës penale që ndërlidhet me terrorizëm.
Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur të akuzuarit fajtorë më 18 korrik 2016, ndërsa aktgjykimin e Themelores e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit, më 29 nëntor 2016, duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, Besnik Latifit, Gazmend Halitit, Milazim Haxhiajt, Fehmi Musës e Enis Latifit.
Mbrojtësit, kishin paraqitur kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme, e cila gjykatë kishte vendosur që lënda të kthehet në rivendosje-rigjykim.
Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj dhe Enis Latifi, akuzoheshin për përgatitje të veprave terroriste, ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, ndërsa, Fehmi Musa për ndihmë për kryerjen e veprës penale të terrorizimit.
Me aktgjykimin e parë, në korrik të vitit 2016, Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Enis Latifi me 10 vjet, ndërsa Fehmi Musa me 4 vjet burg.
Sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.
Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shteti Islam”, në Republikën e Kosovës.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?