Me 17 dhjetor qytetarët e Komunës së Istogut do t’iu drejtohen për herë të katërt kutive të votimit. Kjo pasi që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim që kjo komunë të shkojë në rivotim pas balotazhit të 19 nëntorit, ku Gani Dreshaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës doli fitues pas numërimit të votave me postë. E pikërisht ankesat e LDK-së për votat e ardhura me postë të cilat ishin vendimtare pasi përmbysën rezultatin bënë që Istogu të shkojë në rivotim.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Haki Rugova, pret që procesi i rivotimit në këtë komunë të shkojë siç duhet. Në një prononcim për Gazetën Observer, Rugova thotë se tashmë KQZ-ja i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit. Ai thotë se janë të bindur për fitore, duke ritheksuar edhe njëherë faktin se i gjithë procesi i votimit me postë për këtë komunë ishte i manipuluar.
Ai thotë se i vjen keq për qytetarët e Istogut që edhe njëherë duhet t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin.
“Më duket që s’ka ndodhur ndonjëherë në histori që votimi të përsëritet kaq herë, është e padrejtë për qytetarët e Istogut”, është shprehur Rugova.
Sipas tij ky proces do të shkojë siç duhet, dhe pret që të mos ketë manipulime.
“KQZ-ja i kanë marrë masat. Nuk do t’iu mohohet e drejta e votës njerëzve që kanë aplikuar përsëri, mirëpo do t’iu pa mundësohet atyre që kanë votuar në mënyrë të dirigjuar, që i kanë kontrabanduar ato vota”, ka thënë ai.
Rugova thotë se ka qenë kundër që Istogu të shkojë plotësisht në rivotim, megjithatë thotë se po punojnë dhe janë të bindur në fitore.
Në një përgjigje për Gazetën Observer, Rugova thekson se procesi i votimit me post për Istogun ka qenë plotësisht i manipuluar dhe thotë se në këtë punë ka të përfshirë edhe njerëz nga niveli qendror.
“Nuk e besoj që do të votojnë të vdekurit, ato gjëra do të pamundësohen. Ai proces ka qenë plotësisht i manipuluar. Ajo lëndë tashmë është në prokurori, dhe prokuroria le të merret me gjithë ata njerëz dhe ato qarqe të caktuara, qoftë në nivel lokal dhe qoftë në nivel qendror. Këtu ka njerëz edhe të nivelit qendor dhe të shohim, le të veprojnë. Mbetet tek organet e drejtësisë ta kryejnë punën e vet ” ka përfunduar Haki Rugova.
Gazeta Observer ka provuar që të kontaktoje edhe Gani Dreshajn e AAK-së, megjithatë kontakti me të ka qenë i pamundur.
Në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën më 22 tetor, Haki Rugova fitoi 45.36% të votave, ndërsa Gani Dreshaj ishte radhitur si kandidati i dytë më i votuar me 35.63%. Ky rezultat i çoi në balotazhin e 19 nëntorit ku Rugova fitoi 51.88% të votave ndërsa Dreshaj 48.12%, por rezultati u përmbys gjatë numërimit të votave me postë dhe me kusht, duke ia siguruar kandidatit të AAK-së fitoren, Gani Dreshajt.
Marrë parasysh ankesat e dërguara nga LDK-ja lidhur me votat me postë të cilat ishin vendimtare në rezultat, PZAP-ja ka marrë vendim që Istogu të shkojë në rivotim me 17 dhjetor. Kundërkandidat i Rugovës në këto zgjedhje është Gani Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës./GazetaObserver/
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimi...
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...