SHBA dhe Koreja Jugore i kanë filluar ushtrimet e përbashkëta

10:23 | 4 Dhjetor 2017
arbresh.info

Ushtritë e Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Jugore i kanë filluar sot ushtrimet më të mëdha që janë mbajtur ndonjëherë, në të cilat marrin pjesë më tepër se 230 aeroplanë luftarakë.

Këto ushtrime, Koreja Veriore i ka vlerësuar si “krejtësisht provokuese, që mund të çojnë në konflikt atomik “në çdo moment”.

Në këto ushtrime vjetore me emrin, Vigilant Ace, që do të vazhdojnë deri më 8 të këtij muaji, marrin pjesë afro 12 mijë ushtarë të marinës amerikane dhe personel tjetër, shkruan REL.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara tha se ushtrimi i përbashkët do ta forcojë gatishmërinë dhe kapacitetet operacionale të përpjekjeve për garantimin e paqes dhe sigurisë në Gadishullin Korean.

Koreja Veriore e ka lansuar një raketë balistike më 28 nëntor, që ishte e fundit në serinë e lansimeve të cilat i kanë shtuar tensionet me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët në rajon.

Shtetet e Bashkuara i kanë afro 28 mijë ushtarë në Korenë Jugore, për zmbrapjen e ndonjë agresioni eventual të Koresë Veriore./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme