Google ADS

Kosova pas zgjedhjeve, fokusi të zhvendoset tek luftimi i korrupsionit e zhvillimi ekonomik

08:10 | 4 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Organizimi i tri palë zgjedhjeve në këtë vit ka bërë që fokusi i institucioneve të vendit, e po ashtu edhe subjekteve politike të zhvendoset në fushatë  elektorale. Madje, kjo ka bërë që çështjet kryesore si luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, liberalizimi i vizave, e zhvillimi ekonomik të mbeten anash, shkruan arbresh.info.

Analistët në vend vlerësojnë se këto çështje tash e tutje duhet të jenë në fokus të Qeverisë së vendit.

Drejtori ekzekutiv i Organizatës Çohu, Arton Demhasaj për arbresh.info përmend disa nga çështjet kryesore ku do të duhej të fokusohej Qeveria e vendit.

“Qeveria duhet të fokusohet në luftim të korrupsionit , reformat që duhen në sundim të ligjit, në Administratë Publike , duhet të ketë fokus në zhvillim ekonomik pra duhet të rritet numri i të punësuarve, përmbushja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që është e vonuar dhe duhet patjetër të përfundoj sa më shpejtë në afatet që janë të paraparë dhe çështja e liberalizimit të vizave më tash është çështje kryesore e cila duhet të adresohet dhe të merr një epilog të caktuar, pra këto janë disa prej çështjeve kryesore me të cilat duhet të merret Qeveria në nivel qendror”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për atë se ku duhet të fokusohet niveli lokal.

“Në nivel lokal tash i dimë premtimet e subjekteve politike, konkretisht kandidatëve për kryetar që i kanë dhënë në fushatat e kaluara, ka qenë sidomos uji i pijshëm, çështja e ndërtimit të shkollave , rritja e cilësisë në arsim, shtrimin e rrugëve të caktuara do të thotë këto janë pikat që ata i kanë cekur dhe për to kanë dhënë afate shumë të shkurtra, dhe kjo duhet të bëhet menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, betimit të mandatit duhet të fillojnë me punën”, ka thënë ai.

Ndërsa, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për arbresh.info se gjatë kohës së zgjedhjeve vendi ka qenë në një bllokadë institucionale. Kjo për shkak pasi siç thotë ai edhe zgjedhjet lokale e po ashtu edhe ato nacionale kanë ndikuar direkt në punën e institucioneve të vendit.

Murati, deklaron se tash pas përfundimit të zgjedhjeve fokusi i institucioneve të vendit duhet të jetë në çështje të mëdha, duke përmendur, demarkacionin, liberalizimin e vizave, zhvillimin ekonomik, transformimin e FSK-së, e po ashtu edhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Fokusi i Qeverisë duhet të jetë edhe në zhvillim ekonomik, në luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe njëkohësisht e dimë që tash e sa kohë duhet dhe jemi në pritje që të bëhet një zgjidhje e qëndrueshme rreth çështjes së demarkacionit me Malin e Zi , ku e dimë që ky është edhe një kusht për liberalizimin e vizave , madje ka edhe shumë çështje të tjera të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, e po ashtu edhe transformimi i FSK-së, ku Qeveria duhet të ndërmarr hapa konkret”, ka thënë ai.

Murati, ka kërkuar që sa më shpejt të konstituohen edhe Kuvendet Komunale, në mënyrë që të fillohet me punë.

“Sa i përket nivelit lokal unë konsideroj se është mirë që të konstituohen edhe Kuvendet Komunale edhe kryetarët e komunave në mënyrë që t’i lihet hapësirë punës dhe të përfundojë kjo faza e fushatës para elektorale që i ka lodhur jo vetëm qytetarët por edhe subjektet politike”, ka pohuar ai.

Ndërsa, analisti politik Bajrush Morina, ka thënë se ka ardhur koha kur përfaqësuesit politik si në nivelin qendror e po ashtu edhe në atë lokal duhet të punojnë më shumë e të flasin më pak.

“Krejt çka duhet të bëjnë përfaqësuesit politik në nivelin lokal e qendror është që të punojnë më shumë e të flasin më pak. Aq shumë kanë folur sa na kanë lodhur. Ka ardhë koha kur ata duhet të lodhen duke punuar e të mos bëjnë zhurmë duke folur. Ata kanë aq shumë punë për të kryer sa me këtë ritëm të punës së tyre, ne nuk do të marrim liberalizimin e vizave edhe disa vjet e do të bëhemi pjesë e Evropës në shekullin e ardhshëm”, ka pohuar Morina.

Zgjedhjet nacionale në vend janë mbajtur më 11 qershor, ndërsa ato komunale më 22 nëntor, derisa komunat që kanë shkuar në balotazh kanë mbajtur procesin zgjedhor më 19 nëntor./arbresh.info/J.Zhuniqi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme