Performancë e dobët e Kuvendit për tre muaj, shkak zgjedhjet

08:15 | 3 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Legjislacioni i gjashtë i Kuvendit të Kosovës, që nga fillimi i punës më 3 gusht, ka pasur një dinamikë të ulët të punës duke marrë parasysh faktin se në këtë periudhë janë mbajtur edhe zgjedhjet lokale, shkruan arbresh.info.

Për tre muajt e parë të kësaj legjislature janë mbajtur vetëm tetë seanca plenare, duke përfshirë seancën konstituive dhe seancën e jashtëzakonshme.

Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, i cili është edhe monitorues i Kuvendit, të gjitha partitë parlamentare garuese në zgjedhje i kanë dhënë prioritet procesit zgjedhor në komunat ku kanë qenë duke garuar duke neglizhuar kështu punën në Kuvend.

Sipas KDI-së, janë miratuar vetëm dy ligje, ai për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017 dhe Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

“Pikë më e dobët e Kuvendit për periudhën raportuese është përmbushja e agjendës legjislative. Janë miratuar vetëm 2 ligje, ai për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017 dhe Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Me gjithë ligjet e miratuara, vlen të ceket që Kuvendi ende nuk e ka miratuar një plan të punës për këtë vit. Ndërsa, në procedurë nga komisionet parlamentare janë 20 projektligje, të cilat pritet të shqyrtohen”, thuhet në përgjigjen e KDI-së.

Intensitet i lartë i punës vërehet tek komisionet parlamentare të cilët kanë mbajtur 72 mbledhje të rregullta në këtë periudhë.

“Për tre muajt e parë të kësaj legjislature, intensitet më i lartë i punës vërehet tek komisionet parlamentare të cilat kanë mbajtur 72 mbledhje të rregullta për këtë periudhë”, thuhet në përgjigjen e KDI-së.

“Një element i rëndësishëm nga këto takime të realizuar deri më tani, është raportimi i ministrave, përkatësisht takimet informuese me ministrat e kabinetit të ri qeveritar, ku deri tash 13 prej tyre janë ftuar për raportim. Nëse e krahasojmë  këtë periudhë me periudhën e njëjtë në dy vitet e kaluara, numri i mbledhje është dukshëm më i vogël këtë vit, meqë në periudhën e njëjtë të vitit 2016 janë mbajtur 108 mbledhje të komisioneve, ndërsa për të njëjtën periudhë për vitin 2015 janë mbajtur 92 mbledhje”

Për tre muaj punë të Kuvendit të Kosovës është mbajtur vetëm një interpelancë e  ftuar nga gripi parlamentar i LDK-së ndaj kryeministrit Haradinaj lidhur me akuzat ndaj ministrit Nenad Rikallo.

“Në kuadër të ushtrimit të funksionit mbikëqyrës, Kuvendi ka pasur performancë relativisht të mirë. Deputetët kanë parashtruar 34 pyetje parlamentare, prej të cilave vetëm dy kanë ardhur nga deputetët e shumicës parlamentare, kurse pjesa tjetër nga ata opozitarë. Kurse, si mekanizëm tjetër nëpërmjet të cilit deputet e Kuvendit kanë ushtruar funksionin mbikëqyrës është interpelanca. Për këtë periudhë është mbajtur një e tillë, e ftuar nga grupi parlamentar i LDK-së, ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me çështjen e akuzave ndaj ministrit Nenad Rikallo”, thuhet në përgjigjen e KDI-së.

Kosova ka zhvilluar zgjedhjet lokale më 22 tetor ndërkaq rrethi i dytë i tyre është mbajtur më 19 nëntor të këtij viti.

Për rrethin e parë të zgjedhjeve, kohëzgjatja e fushatës elektorale ka qenë një muaj ndërkaq për balotazh, një javë.

Vlen të theksohet së këtë javë Kuvendi ka kaluar në lexim të parë projektligjin për Lirinë Fetare dhe Projektligjin për Prishtinën që konsiderohen si dy projektligje shumë të rëndësishme për Kosovën./M. Avdimetaj/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme