Pacolli: Të bëhemi bashkë si na mëson shembulli i Rugovës

22:34 | 2 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se sot babai dhe themeluesi i Kosovës Ibrahim Rugova ka ditëlindjen duke shtuar se jeta dhe vepra e tij kanë lënë disa mesazhe për të cilat ai thotë se duke i jetësuar, do të kujtohet dhe nderohet ish-presidenti i Kosovës.

Pacolli ka thënë se familja e Rugovës kishte viktima prej krimit shtetëror serb, por ai i mundi kundërshtarët me rrugën paqësore.

Postimi i plotë:

Ibrahim Rugova….

Sot babai themelues i shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova ka ditëlindjen. Jeta dhe vepra e tij na lanë disa mesazhe. Duke i jetësuar ato, e përkujtojmë dhe nderojmë më së miri atë.
1) Familja e Ibrahim Rugovës kishte viktima prej krimit shtetëror serb, por ai i mundi kundërshtarët me rrugën paqësore.
2) Rugova me intelektualë të tjerë krijoi LDK, parti që mbante brenda gjithë Kosovën.
3)Edhe kur u krijuan parti të tjera, ai diti të pajtohej me të gjithë në emër të Kosovës.
4) Rugova kurrë nuk shau njeri, nuk luftoi njeri, nuk manipuloi me fjalët.
Atë e shanë, e luftuan, i manipuluan mendimin, por sot ai respektohet prej të gjithëve. Dhe prej atyre që e shanë, e luftuan, i manipuluan jetën, veprën, mendimin.
Sot gjendemi para një beteje diplomatike të vështirë me Serbinë. Të bëhemi bashkë si na mëson shembulli i Rugovës, në një parti, në partinë e Kosovës. Vetëm kështu do jemi më të fortë, do na respektojnë miqtë tanë perëndimorë dhe do e fitojmë betejën e radhës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme