Letra e radhës drejtuar së bijës, aktori në vuajtje të thellë

09:50 | 2 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Mallin që e kishte mbajtur tërë jetën dhe të gjithë të pathënat drejtuar asaj, po i shpreh këto ditë, në të cilat ai po vuan shpirtërisht
Pas vdekjes të së bijës, u kuptua se sa sakrificën dhe mundin e kishte bërë për të, duke qëndruar i fortë dhe me shpresë se ajo ndje ditë do të shërohet.

Por kësaj radhe fati deshi që Bubulina, vajza e vetme e Çun Lajçit të shërohet përgjithmonë, por në një botë tjetër. E malli për të bijën e përvëlon në shpirt aktorin, i cili e shprehë atë përmes shumë letrave adresuar Bubës së tij në amshim, shkruan Kosovarja.

E ndër më prekëset, është edhe kjo e radhës, e cila vërtetë se këputë shpirtërisht.

Vështirë të mbahen lotët…Buba e udhëtime kujtimesh

Në nji qoshe të botës jam cucërua e po lexoj letra e kujtime e po pres mos Kengurët po ma trupojnë rrugën, si ai qeni që m’doli para e copa n’makinën time u ba, dy ditë para se të vdisje ti Bubë!

Kur erdha n’spital të tregova, t’thash këto motrat Sefaj mbramë ishin hejeranda.

M’the: Harroje makinën shyqyr që paski shpetua more babë!

Tani kur jam tue u kthye nga rrugë e thyeme, pa ariun Kualla që t’premtova, diku mbi Los Angelesin e famshëm, vetës po i them:athua ishte sheji i derguem nga Zoti që rrugë mos me ba, e fort m’u shtrengua për t’zezën që do vinte, apo vërtetë dhimtë iu kishte qenit jeta, nuk di, por rruga n’gjysë m’u thy, e n’varrim të erdha.

I cucëruam nji fshat n’Melbournin e largët, njiherë mendova të Rina n’Zelandën e Re me shkua e fort për Ty me përqafë, por Meda, ai ylli i kangës i Përgjegjajve, që po m’shikonte me dhemshuni, sikur donte të thoshte: mos more plak, rrugë e largët për kamtë tua të ajuna asht, e u nisa gjurmëve kah erdha, pa Kuallon e premtueme, se qytet me dyqane s’pashë, pos shtëpia mergimtarësh.

Pra të dritarja u palova si vremç e letra për ty nisa me lexua!

Mos shkruaj se na trishtove me letra po m’thonë.

Njerëzit kanë përjetua gjithfar tragjedishë e dhimbjet i kan ndry n’shpirt e ligështua si ti s’janë.

E unë kurgja s’po baj Bubë, s’po vajtoj, as kend s’po e shti n’gjynah, as Learti im s’ligështohet se vdekjen me borxh m’thot e kemi, veç po i ve n’letër kujtimet e bukura që i patëm, që mos t’harrohen, që kur të shtrihem afër teje, t’i lexojnë të tjerët e ta dinë se çfarë përjetuam për aq sa patem jetë.

Të betohem, se përkundër peripëcive, e ruajta krenarinë e kurrë s’u ankova e kurrë s’u përkula, e fjalë tjetër s’thash pos : Buba si Bubulaqe. Si vera e bardhë!

E shpirti im e dinte sa vuante.

Bubë.

Po m’thonë: sa baba ka mbet pa djal e sa nana pa vajzë, e zani i tyne s’asht ni, e ti me vaj n’buzë po shkruan letra, thua se nuk e paske dijt se n’kët botë jemi kalimtar.

Vajtoje vetën po m’thonë që jeton

n’ botën e rrejshme, jo engjullin tand që asht tue fjetë n’botën e amshueshme mbushë me lule.

M’thonë, e unë heshti e n’heshtje i falenderoj. Nga frika mos po hatrohen, s’dua t’iu them se engjullin tim e rrita ta kem për botën që e shoh dhe e shijoj, jo për ate tej kodrash, Edenësh e Ylberash!

Sikur s’po e ditkam se jemi të vdekshëm, cila qenka bota e amshueshme me “Hyrie” e trandafila e cila e rrejshme!

Eh moj Bubë. Dhimbja asht e përveçme. Edhe kujtimet, edhe malli.

Unë dua me i pavdeksua kujtimet tash, sa m’punon rradakja, se dikur bahet vonë.

E mban mend si u nisëm për Megjugorje?

Nji ditë m’the: e kam vendos me shkua n’Megjugorje,në “Campo De La vita”

Dhe s’ pati nevojë m’e përseritë lutjen dy herë.

Të nesërmen, e përkëdhele fort e fort Ninën, at Pitbullin e zi që e pate ble si klysh kur shkuam n’ Drelaj, n’Janarin e pasluftës, të cilin Ajshja e Isufit nuk ta linte n’dhomë. Qeshte e thoshte: y qyqe, qysh qenin brenda. E ty t’vinte gjynah e shpesh natën rrishe n’kolibën e vogël tue mbulua me zhele, nga frika mos klyshi po ngrihej acarit.

Ai dimën ishte tepër i veçantë për ty. Gjithë ditën rrishe n’skia, bile edhe bukën dada Ajshe ta binte n’livadh. Faqet t’u skuqen si asnjiherë tjetër. Rugovë ma! Skijoheshe me mua e Kujtimin e shpesh edhe me Zekën. Learti vinte e shkonte.Netët i kalonim tue luejt letra me Naserin e Mustafën deri vonë. Janar e Shkurt i kaluam të Isuf Alia, e Alberia e Zeka,n’përkëdheli të thirrshin herë Razë herë Bubrri.

Bajshe kërrabza natën deri vonë, si ato çikat kur e bajnë qejzin e nusnisë, që t’i kurrë s’arrijte me ba, se kurrë nuse me kunorë s’të bani nana.

Eh, ai dimën i bardhë që kurrë ma s’u përserit!

Pra të premtën e fundit të nantorit të fundit të 2006 mbasi e kishim provua fatin n’Stamboll, nji herë me Dardan Islamin e dy herë vetëm, në mbramje e përkëdhele Ninon, u përmallove e qave dhe mbasi u përqafe me Galën, mamicën tande e Latin, morem rrugë me autobus drej Novi Pazarit.

Tash po ta them, edhe pse e luejta babën e fortë, fort u tuta kur u futem në kufi me Serpska Krainen e Bosnës, se kishim pasaporta fallco, të bleme me pare, e ti s’ishe n’dijeni.

Ishe e përgjumun disi e Policia dyshuan shumë dhe na futën në kabinën e tyne.

T’kujtohet si i mashtrova nga tuta?

U thash, kësaj artistës se re, Bata Zhivoinoviq ia ka pre flokët.

Qysh? Artisti ynë ma i miri?Ku e njeh m’than.

Sepse jemi artista dhe e kemi kolegë u thash.

Shkoni na thanë, e unë tue u dridhë t’mora përdore dhe u futem n’autobus.

N’Sarajevë me vështërsi e gjeta lidhjen për Mostar, e nga aty nji kroat me veturën e vet na çoi n’Megjugorje, bile edhe dhomën me qera na e pat gjet krejt afër me “Campo De La Vita” për 100 euro, se krejt pak pare kisha. Të nesërmen i bana telefon Albertit e Lulës: o mos m’leni bre se nuk kam pare u thash, e kurrë ma shumë s’mu kanë dashtë.

Alberti i shkretë vetën keq e la e ty ti dergoi 2000 franka.

Eh moj Buba ime sa e lumtun ishe ato ditë. Çoheshe herët e shkojshe n’Komunitet, e unë për m’e vra ditën ecsha dhetë kilometra përmes shkurreve, nji rruge që të çonte deri të lumi Neretva, e nga ato kodra e shikoja poshtë Mostarin.

Tash dije, se qajsha e knojsha prej mallit sa nuk di qysh s’me kopi zemra atyne shkurreve.

Shkova me autobus n’Mostar dhe hipa n’at urën e tyne të famshme, ku dikur shumë vite para, me Sabri Fejzullahun pata pi kafe. Aty bana fotografi kujtimi e aty e shkrova at poezinë për Ty

” udhëtim drejt shpresave”

Eh sa kilometrat i kam ba me barkun unët tue i kursye ato pak pare e tue pritë darkën me hangër bashkë me ty moj Bubë.

Ai kroati ku flejshim ne, e kishte nji fermë të vogël lepujsh e ti kënaqeshe tue luejt me ta, e kur i prente, nanë e babë shqip ia ladrojshe se t’vinte gjynah.

Bubë,

A t’kujtohet Kodra e Zojës Madhe.

Aty thojshin e kemi pa kur u rishfaqë Zoja Mari. Unë qeshja e thojsha po rrejnë e Ti u besoje e sa mujshe blejshe rruzare e kryqe.

Eh sa herë jemi lut të shtatorja e Jezusit për shëndetin tand moj Bubë. Hala e kemi gurin që e patem marr me na sjell fat, n’at kodrën e Zojës Madhe. Ende po ta ruej të librat, bashkë me rruzaret që i marove me ato qikat e Komunitetit.

Veç unë u deshpërova shumë kur na thanë duheni me shkua ne Kroaci, përtej Zagrebit, n’Verbovec,se atje e kemi vendos vajzën tande, e ti u gëzove e s’të pyeta pse?

Oh more Zot thash, a dini ju se ne vështirë i kalojmë kufijtë me pasaportat e hueja!

Në Bjelinë dy orë na mbajten dhe vetëm pasi biseduan me Kampin na dhanë leje me vazhdua. Mirë që na priti autobusi, se vajhalli për ne do t’ishte.

Ajo natë e Zagrebit do të mbetet ma e trishtueshmja n’jetën time.

Kishte ra mjegulla për tokë e ti kërkoje me shkua në Mecdonallc, e unë s’disha si m’u orjentua, e kohë kishim shumë pak për autobusin e fundit për Vërbovec. Por, qefin nuk ta prisha as atë natë, andaj me ato pak pare që kisha, thirra taksin dhe shkuam. Ishe e unët apo shumë të pelqyen, nuk di, por tri herë hangre ‘bigmec’

Kur dulem, rrugëve me nji aparat të 10 eurove të fotografova për kujtim dhe morem rrugë drejt shpresës së fundit. Tue ngreh zhag at kuferin e madh me qarshafa e me jargan( që i patem ble n’Megjugorje ) mbrrimë në

“ Campo De La vita”

Të përqafa e t’putha. Të këshillova sa mujta. Isha plot vaj e s’gujxojsha me qajt para teje. Babë i fortë duhej ba e zemra m’vajtonte. Të lash në mëshirën e nji vajze Kroate që tha: unë do t’jem

“ engjulli “ i saj për aq sa kjo do t’rrij këtu, dhe i rraskapitun e mora nji dhomë diku në nji hotel.

Tash kur ti ma s’lexon, e nuk prekësh, po ta them: kur t’lash dhe u nisa qytetit, kam ecë rrugëve tue qajt me za. Dhe përçudi i thashë vetës: këtu Buba s’ka me nejt!

Të nesërmen mora rrugë për Shkup, dhe kur mbrrina n’Prishtinë, e përqafa Galicën e qajtem bashkë e kur u qetësova i thashë: qysh s’ma ndalen në Megjugorje bre, po sa mirë ishte. N’ Vërbovec tutna që s’rrin, se boll keq m’u duk.

Dhe ashtu doli. Mbas pesë ditësh m’telefonuan: Vajza jote nuk mundet pa juve, andaj po e nisim për Prishtinë”

U ktheve me autobus e shpresat u thyen bashkë me rrugët tona.

Bubë, kurrë s’ta kam thanë. Derisa po xhirojsha at serialin “Ja Çe Gevara” për nji Televizion Kroat në Zagreb, e luta nji bukëkpjekês nga Hasi me m’çua në Vërbovec, të vendi ku ti i bane ato pesë net.

Ishte ditë me shi, e Hasjani hini n’kafe, kurse unë shkova kamë dhe qajta nga malli për mua e për ty. Kur u ktheva me pyeti pse po qanë? Por nuk i tregova, se mallin e atij kujtimi deshta ta mbaj vetëm për vete!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme