Google ADS

Lirohen nga burgu të dënuarit për vrasjen e pesë maqedonasve

00:01 | 2 Dhjetor 2017
Trina Galanxhi

Gjykata Supreme e Maqedonisë ka vendosur që t’i lirojë nga burgu të dënuarit me burgim të përjetshëm për vrasjen e pesë maqedonasve, në prill të vitit 2012, pranë një liqeni artificial në Smillkovcë.

Rasti është i njohur në opinion si “Monstra”.

Vendimi i gjykatës së lartë pason vendimin e datës 3 tetor për rigjykimin e këtij rasti, që për rreth pesë vjet ka shkaktuar protesta e reagime të shumta në opinion.

Gjykata Supreme ka vendosur masa tjera sigurie për të dënuarit, si moslëshim i vendbanimit ku jetojnë, si dhe të paraqiten dy herë në javë në Gjykatën Penale të Shkupit.

Lirimi nga burgu i Agim Ismailoviqit, Fejzi Azirit, Haki Azirit dhe Sami Lutës vjen me kërkesë të prokurorisë për rigjykimin e rastit, për shkak të paraqitjes së dëshmive të reja që këta persona mund t’i lirojnë nga akuza për vrasjen e maqedonasve.

Dy të akuzuar të tjerë për këtë vepër, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, ndodhen në arrati.

Të arrestuarit për këtë rast në vazhdimësi janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa një këshill i themeluar për mbrojtjen e tyre ka insistuar se rasti është i sajuar për qëllime politike të qeverisë së kaluar, apo shpërqendrimin e vëmendjes nga probleme tjera aktuale.

“Është një fitore e të gjithë atyre që janë angazhuar për të ardhur deri te ky moment. Është hapi i parë që u bë drejt zbardhjes së rastit dhe shpresojmë se do të përfundojë ky ankth dhe e vërteta do të dalë në sipërfaqe, si për familjet tona, ashtu edhe për familjarët e viktimave, pasi edhe ata duan drejtësi apo të dinë autorët e vërtetë të vrasjes së djemve të tyre”, ka deklaruar Bedri Ajdari nga këshilli i familjarëve të dënuar.

Se të dënuarit janë të pafajshëm disa herë ka thënë edhe lideri i opozitës së atëhershme, Zoran Zaev, kryeministër i tanishëm i Maqedonisë.

Ai në disa paraqitje ka premtuar se do të bëjë çmos që përmes institucioneve të drejtësisë të zbardhë të vërtetën për vrasjen në Smillkovcë./rel/

Të ngjashme