Deliu-Kodra paraqet kërkesë për dëmshpërblim në rastin e gazit lotsjellës në Kuvend

12:50 | 1 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka vendosur që të paraqet kërkesë për dëmshpërblim si pasojë e gazit lotsjellës që është hedhur në Kuvend e për shkak të të cilit ajo ishte dërguar me urgjencë në QKUK.

Ndonëse në fillim të seancës gjyqësore ndaj katër deputetëve të VV-së për gaz lotsjellës në Kuvend ajo ka deklaruar se për kërkesë pasurore-juridike do të vendoste më vonë, Deliu-Kodra e mori sot këtë vendim gjatë seancës, shkruan arbresh.info.

Vendimin ajo e ka marrë pasi deputetët e akuzuar të VV-së e kanë quajtur disa herë radhazi aktore të mirë derisa ajo jepte dëshminë e saj si dëshmitare dhe e dëmtuar, duke thënë se e kishte parë Albin Kurtin duke hedhur gazin dhe po ashtu se e kishte dëgjuar atë duke thënë që duhet të hidhen më shumë gaze lotsjellëse në atë seancë.

“Cili është roli i juaj më i rëndësishëm që keni pasur në karrierën tuaj prej aktoreje?”, e ka pyetur deputetja e akuzuar e VV-së, Donika Kadaj-Bujupi.

Të njëjtën pyetje ia bëri edhe deputeti tjetër, Faton Topalli rreth aktrimit të saj në këtë rast, shkruan arbresh.info.

Pas përfundimit të dëshmisë së saj, Deliu bëri të ditur se paraqet kërkesë pasurore-juridike.

Trupi gjykues ka shkuar në pauzë, për të vazhduar në ora 13:00.

Seanca ndaj katër deputetëve të VV-së ka nisur sot në ora 9:00 ndërkohë që të gjithë të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme