Mediat në Shtetet e Bashkuara raportojnë se Shtëpia e Bardhë planifikon të shkarkojë sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, dhe ta zëvendësojë atë me Mike Pompeon, drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).
Duke cituar një zyrtar të lartë të administratës amerikane, The New York Times tha e para se administrata e presidentit Donald Trump mund ta bëjë njoftimin “brenda javësh”.
The Associated Press, Reuters, Vanity Fair dhe organizata të tjera lajmesh po ashtu raportuan për mundësinë e largimit të Tillersonit nga Departamenti i Shtetit, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar.
The New York Times tha se në bazë të planit, senatori Tom Cotton mund ta zëvendësojë Pompeon në krye të CIA-s.
Pompeo është ish-kongresist republikan nga Arkansasi, i cili ka qenë mbështetës i fuqishëm i Trumpit.
“Tani për tani nuk ka njoftime në lidhje me personelin”, tha Shtëpia e Bardhë në përgjigje të raporteve.
“Sekretari Tillerson vazhdon të udhëheqë Departamentin e Shtetit dhe i gjithë kabineti është i përqendruar në përfundimin e këtij viti jashtëzakonisht të suksesshëm të administratës së presidentit Trump”, tha zëdhënësja Sarah Sanders, transmeton Radio Evropa e Lire.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, u tha gazetarëve se shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, i ka siguruar zyrtarët se raportet se Tillerson do të zëvendësohet, nuk janë të vërteta.
The New York Times tha se nuk është e qartë nëse Trump e ka dhënë miratimin përfundimtar për ndryshimet, të cilat do të paraqisnin riorganizim të madh të administratës.
Sipas mediave amerikane, Trump e ka humbur besimin te Tillerson, ish-shef ekzekutiv i gjigantit të energjisë ExxonMobil Corp., i cili nuk ka pasur përvojë të mëparshme diplomatike.
Presidenti dhe sekretari i Shtetit shpesh e kanë kundërshtuar njëri-tjetrin në deklarata publike në lidhje me çështje të mëdha ndërkombëtare.
Mes tjerash, ata dallojnë në qasje ndaj programit bërthamor të Koresë së Veriut dhe atij të Iranit.
Tillerson po ashtu është akuzuar nga demokratët dhe disa republikanë për dobësimin e diplomacisë amerikane, duke mos i mbushur disa pozita të rëndësishme në Departamentin e Shtetit.
Të enjten, Departamenti i Shtetit njoftoi se Tillerson do të udhëtojë në Bruksel, Vjenë dhe Paris, nga data 4 deri më 8 dhjetor, për takime me zyrtarë të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë./rel/
Borrell jep paralajmërimin përfundimtar për luftën në Ukrain...
Vullneti ironizon banorët: Publiku e ka kuptuar nga Big Brot...
Alonso kërkon fitoren e tretë radhazi të Leverkusen
Vendoset gurthemeli i Shkollës së Mesme Profesionale në Podu...
32-vjeçari intervistohet nga policia për gjuajtje me armë zj...
“Po të lë anash”, Driloni e Anisa flasin për lojë