Haradinaj: Kemi testin PISA që është shumë keq dhe që na turpëron neve si Kosovë

11:43 | 30 Nëntor 2017
Arbresh.info

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, kanë organizuar konferencën ndërkombëtare për PISA 2018 “Të veprojmë së bashku për arsim më të mirë”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në këtë konferencë ka thënë  se në testin PISA Kosova ka një nivel të dobët dhe për çdo kritikë.

“Kemi testin PISA që është shumë keq dhe që na turpëron neve si Kosovë. Kontributin tim do ta jap vetëm t’i përmend disa shkaqe dhe jemi të përkushtuar të ndryshojmë gjendjen”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai përmendi disa nga shkaqet e mungesës së cilësisë së arsimit.

“Mësimdhënësit , seleksionimi i tyre është një proces jo aq përmbajtjesor. Nuk janë marrë ata që kanë pas mesatare më të lartë. Kanë arrit me u bë mësimdhënës ata që nuk kanë qenë më të mirët. E dyta programet parashkollore nuk përputhen me parametrat e nevojshme për më tutje. Plan programet janë ende eksperimentale. Të mos flasim për organizimin e infrastrukturës së shkollave. Kemi problem me monitorim, shkollat tona janë pak të monitoruara. Kemi numër shume të madh të orëve të humbura. Kemi telashe me vlerësim të njohurive, kur jepen vlerësimet në nota standardet kanë vlerësuar se nuk mjaftojnë për epilog. Është mirë për përballje me të vërtetën t’i tregojmë vetes se puna nuk është mirë”, tha ai.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi, tha se janë të vetëdijshëm që nuk është niveli i duhur i cilësisë së arsimit në Kosovë.

“MASHT e ka mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës po ashtu edhe të donatorëve e që qëllim kanë përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë”, ka thënë ai.

Ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt tha se PISA ka një potencial të madh për të identifikuar sfidat në sistemin arsimor.

“Ne kemi bërë përvojën në Gjermani dhe mendojmë që investimi në arsim është mënyra më e mirë për të zhvilluar kohezion në sistemin arsimor. Siç e dini në 2015 Kosova mori pjesë në vlerësimin PISA që krijoi një debat të gjerë. Ju lutem të jeni të sigurt që edhe tek ne na tronditi në 2001. Ne përfituam shumë nga ato analiza dhe për këtë arsye avokojmë përdorimin e kërij instrumenti. Njohja e faktet që duhet të bëhen reforma në arsim është një hap i madh .PISA ka potencial të madh të paraqes sfidat në sistemin e arsimit. Kjo tregon se ku dudhet të vendoset leva”, tha ambasadori gjerman.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme