Google ADS

Mustafa: Do të kërkojmë nga Supremja ndryshimin e vendimit të PZAP-së për Istogun

11:02 | 30 Nëntor 2017
Arbresh.info

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se vendimi i PZAP-së që të dërgoj në rivotim komunën e Istogut është i padrejtë dhe i pabazuar.

Mustafa ka thënë se LDK ka bërë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe ndonëse kjo ankesë është marrë si e bazuar, ky panel prapë ka vendosur në kundërshtim me të, shkruan arbresh.info.

I pari i LDK-së ka deklaruar se fitorja e kandidatit të kësaj partie në Istog, Haki Rugova është provuar të kontestohet dhe të vihet në sprovë me vota të kriminalizuara.

“Rugova ka fituar  për kryetar të Istogut me votat legale të qytetarëve të Istogut mirëpo fitorja e tij është provuar të kontestohet dhe të vihet në sprovë me vota të kriminalizuara, të importuara nga qendrat kriminale të cilat në mënyrë të organizuar kanë mbushur zarfet në Mal të Zi, në Slloveni, Serbi dhe në Vienë për kundërkandidatin e tyre të AAK-së. Këto vota kemi konstatuar se nuk janë të diasporës sepse diasporën tonë shqiptare nuk e përbëjnë serbët, malazezët dhe boshnjakët. Ne e dimë se ku janë bashkatdhetarët tanë të shtrirë në vendet e BE-së”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, qytetarët e Istogut e kanë dhënë verdiktin e tyre dhe me shumicë kanë votuar për Haki Rugovën.

“Duhet bërë ndryshimi i vendimit dhe ne do të kërkojmë nga Gjykata Supreme që ajo ta ndryshoj vendimin e PZAP dhe në vend se të shkohet me rivotim të anulohet pjesa e votave që kanë ardhure me postë që janë të kriminalizuara, vota të njerëzve që i është ndërruar identiteti, që nuk jetojnë fare në Istog. Konsiderojmë se në këtë rast nuk do t’i mundojmë qytetarët e Istogut që të dalin sërish në votime. Kush e ka fituar rundin e dytë me shumicë do të fitoj edhe tani”. Është shprehur kreu i LDK-së, Mustafa.

/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme