Google ADS

AKR e kënaqur që ka gjetur hapësirë bashkëpunimi me të gjitha partitë

00:03 | 30 Nëntor 2017
Trina Galanxhi

Nënkryetarja e AKR-së, Albena Reshitaj, ka thënë se partia e saj është duke shfrytëzuar momentin e duhur duke bashkëpunuar me të gjitha partitë tjera politike në vend në nivel qendror dhe lokal.

AKR hyri në kuvend në koalicion me LDK-në, ndërsa më pas hyri në qeverisje me PDK-në, AAK-në dhe Nismën e në zgjedhjet lokale hyri në koalicion me VV-në për Prishtinën dhe Mitrovicën.

“Është koha e AKR-së dhe duhet ta shfrytëzojmë atë. Punuam mençur kur hymë në koalicion me LDK-në dhe mandej kishim ide që të hyjmë në bashkëqeverisje më të gjerë, por ndodhi si ndodhi dhe na u dha hapësira që e kërkuam nga koalicioni qeverisës. Në zgjedhjet lokale punuam në mënyrë diplomatike. Nuk e patëm të vështirë sepse aty ku gjetëm hapësirë për të realizuar programin me ata jemi përafruar. Kjo rezultoi e suksesshme dhe me fitoren e VV-së në Prishtinë është fitore edhe për AKR-në pasi kemi mundësi të bashkëqeverisim. Jemi parti e cila një pjesë e elektoratit e kemi marrë nga fillimi nga LDK-ja. Kemi menduar të bashkëqeverisim me partitë që janë krejt e kundërta e elektoratit tonë. Ndonjëherë qëllon e suksesshme sepse ruajmë identitetin tonë, por edhe mund të rrisim elektoratin”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shtuar se në Prishtinë kanë hyrë në koalicion me Vetëvendosjen, që fitoi në balotazhi ne 19 nëntorit, sepse kishin parë përafrime në program edhe gjatë fushatës për raundin e parë. Ajo nuk ka pranuar të flasë nëse Selim Pacolli do të jetë nënkryetar i komunës në mandatin e ardhshëm./Koha.net

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme