Man Utd vazhdon presionin ndaj liderit, tri pikë ndaj Watfordit

22:55 | 28 Nëntor 2017
Arbresh Info

Manchester United ka vazhduar presionin ndaj liderit në Premierë Ligës duke regjistruar fitore ndaj Watfordit.

“Djajtë e Kuq” kanë siguruar tri pikë të plota në udhëtim te Watfordi duke fituar me rezultat 2 me 4 në Vicarage Road, shkruan portali arbresh.info.

Skuadra e Jose Mourinhos shënoi tri gola të njëpasnjëshme në pjesën e parë. Anësori Ashley Young realizoi dy supergola brenda gjashtë minutave (19′) (25′) para se Anthony Martial të shënonte për 0 me 3 pas vetëm 32 minutave lojë.

Në pjesën e dytë, nikoqirët arritën të shënojnë dy herë përmes Troy Deeney nga penalltia (77′) dhe Abdoulay Doucoure (84′) por kur të gjithë besonin në përmbysje, Jesse Lingard realizoi për 2 me 4 duke i dhënë fund gjithçkaje.

Manchester United tani ka 32 pikë, pesë më pak se Manchester City në krye të tabelës, ndërsa Watfordi tani ka 21 pikë dhe qëndron në pozitën e tetë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme