Si të rritësh vajzën pa komplekse?

22:52 | 26 Nëntor 2017
Arbresh.info

A është e mundur në botën e sotme, ku mediat janë hiperseksualizuar dhe ku theksi qëndron në materialen dhe trupin, të rritet vajza e cila e dashuron dhe e pranon veten dhe trupin e saj me të gjitha mangësitë dhe vyrtytet?

Shumica e psikologëve është dakord se ky është një nga obligimet më të vështira të prindërve gjatë jetës!

Ëndrra e çdo prindi është ta rrisë fëmijën e tij të jetë i lumtur dhe kënaqur, sigurisht për vetëvetën edhe pamjen si dhe respektin e madh ndaj të tjerëve, por edhe ndaj vetes.

Por në ditët e sotme babave dhe mamave më lehtë ju shkon për dore ti mundësojnë fëmijëve atë materialen si dhomën e bukur, shkollimin, kurset e gjuhës, veshjet dhe ekskurzionet me klasën, se sa prej tyre të krijojnë persona stabil dhe të suksesshëm të cilët e pranojnë dhe e duan veten ashtu siç janë.

Përveç kësaj shumë prindër e identifikojnë kënaqësinë e jashtme të fëmijës me atë të brendshmen dhe nuk e kanë të qartë përse fëmija janë të kompleksuar, pasigurt apo tepër të turpshëm kur i kanë të gjitha “kushtet” që të mos janë të tillë.

Shumë psikolog do të thonë se të dashurosh veten në kuptimin më pozitiv të fjalës (që personi ta pranojë veten ashtu siç është, me të gjitha të metat dhe vyrtytet) është pikërisht gjëja më e vështirë në jetë dhe që prindërit, për fat të keq, me edukimin më shumë pengojnë se ndihmojnë.

Edhe atë, thjeshtë, pa vetëdije.Që është kështu, dëshmojnë shumë adoleshent të cilët priren drejtë sjelljes agresive, ikjes nga shtëpia, vjedhjeve të vogla, varshmërive si alkooli apo droga apo çrregullimeve të të ushqyerit – anoreksisë, bulimisë dhe ngrënies së tepruar. Edhe spitalet tona vërejnë një rritje të anoreksisë te fëmijët.

Mungesa e dashurisë në fëmijëri

Për zhvillim të tillë të ngjarjeve ndonjëherë mjafton “vetëm” ndjenja bazike e pasigurisë dhe mungesa e dashurisë së prindërve në fëmijëri, kurse grindjet, ndarja e prindërve apo ndërprerja e lidhjes me bashkëmoshatarët në fakt janë vetëm shkrehës. Vetëdijen e tij fëmija e krijon nga ditët më të herëshme duke thithur porositë e prindërve të tij – që janë burimi kryesorë i informatave se sa është ai i çmuar, i dashur dhe i aftë. Fjalët e thëna, mënyra dhe zëri si janë shprehur, por edhe mungesa e atyre që është dashur të thuhen, qortimet, vrazhdësia dhe ofendimet e fëmijës në komunikim (për shkak të sjelljes, por edhe pamjes!), mungesa e emocioneve dhe përkëledhjeve – në përgjithësi marrëdhënia ndaj fëmijës – e ndërton strukturën e personalitetit të tij. Duke u rritur fillon të kuptojë më shumë dhe kjo strukturë plotësohet duke marrë dhe përvetësuar këshilla për atë se çka është e përshtatshme, tërheqëse, e dëshirueshme dhe çka nuk është.

Nëna si model kryesorë për sjelljen

Personi kryesorë këtu është nëna – ajo është modeli i parë nga e cila thithim sjelljen ndaj vetëvetes dhe marrim shembullin e saj. Është e qartë se nëna e pasigurt e cila është e pakënaqur me pamjen dhe jetën e saj nuk mund ta rrisë fëmijën me karakteristika të kundërta.

Pasiguria në përgjithësi, pohon Sanja Ivanisheviq, psikologe dhe praktikuese e terapisë me lojë nga qendra Modus, ka rrënjët në mënyrën e sjelljes së prindërve me fëmijët – se si i shprehin dashurinë, mirëkuptimin dhe pranimin dhe në ç’mënyrë i vendosin kufizimet.

“Nëse fëmijës nuk i shprehim shpesh dhe qartë dashuri, nëse nuk vërejmë se çka është e mirë te fëmija, që e duam dhe e çmojmë, ai nuk ka rastin të zhvillojë marrëdhënien e pranimit dhe dashurisë ndaj vetëvetes. Gjithashtu, nëse gjatë vendosjes së kufizimeve e kritikojmë fëmijën si person, i themi se nuk është i aftë dhe i vlefshëm dhe shpesh e ndëshkojmë, fëmija i përvetëson këto këshilla anësore të cilat në fund bëhen pjesë e të folurit të brendshëm dhe mënyrës se si sillet ndaj vetes”, shpjegon psikologia duke shtuar se si prindërit i krijojnë komplekse fëmijëve të tyre me atë që madje shpesh e konsiderojnë si masë pedagogjike, e kjo është krahasimi me të tjerët – vëllezërit apo motrat, familjarë apo bashkëmoshatarë. Prindërit shpesh mendojnë se me këtë e motivojnë fëmijën dhe e nxisin për sukses më të mirë, sjellje apo veshje më të përshtatshme. Fëmija në të vërtetë kështu merr mesazhin se masa e vlerësimit është jashtë tij dhe se ai nuk është mjaft i vlefshëm, dëshirueshëm, mençur … Në vend që të zhvillojë ndjenjën e brendshme të sigurisë dhe kuptojë se është i vlefshëm pikërisht ashtu siç është, ai për masë vlerësimi merr rrethin. “Ky është problemi dhe formula për pakënaqësinë me vetëveten sepse gjithmonë do të gjendet dikush më i vlefshëm, më i bukur, më i aftë, më i mirë për diçka”, pohon psikologia.

Pa krahasime, ju lutemi!

Për këtë është me rëndësi të mos e krahasoni fëmijën tuaj me fëmijët tjerë, por thuani se e dashuroni dhe është i vlefshëm edhe kur bën diçka jo të mirë, edhe kur nuk e ka suksesin dhe kur ka peshë të vogël apo të tepërt. Natyrisht se do ta paralajmëroni për sjelljen e papërshtatshme, notat e dobëta apo ngrënien e tepërt të sanduiçeve, por duke mos e lënduar me fjalë të papërshtatshme. Nëse fëmijën pas kësaj e puthni apo i thuani se e doni dhe se jeni krenarë me të pa marrë parasysh se çka ka bërë, vërejtja e shprehur më parë nuk do të ketë peshën e kritikës dhe nuk do ta lëndojë atë. Fëmija nuk do të ndjehet me faj, i frikësuar apo i pavlefshëm. Në të kundërt fëmija kur të rritet do të bëhet person i cili ka gjithmonë ndjenjën e fajit.

Të ekspozuarit në rreth dhe media

Që fëmija, posaçërisht vajza, të bëhet e pasigurt në vetëvete dhe pamjen e saj dhe se ka pasqyrë të keqe për veten, plotësisht “ndihmojnë” edhe bashkëmoshatarët e tij, lojërat dhe lodrat (kujtojeni vetëm Barbikën) si dhe bota e mediave. Sapo të fillojë fëmija të shkojë në çerdhe, prindët fillojnë të vërejnë se flet për gjëra dhe ka qëndrime që nuk i ka marrë nga ata, por në interaksion – bisedë, lojë në grup – me fëmijët tjerë. Ky ndikim i bashkëmoshatarëve është edhe më i theksuar kur të shkojë në shkollë, e veçanërisht në fazën e adoleshencës, kur miqtë dhe mendimi publik apo mediat bëhen më të rëndësishme se prindërit. Kur ta krahasoni vajzën tuaj me veten në atë moshë, shumë shpejt do të vëreni se nuk jeni trajtuar as me gjysmën e këtyre informatave të shumëta, ndër të tjerat, për kozmetikë, personat me famë, veshjen dhe seksualitetin. Fëmijët pa kriticizëm janë të ekspozuar mediave, edhe atë në moshën parashkollore, në të cilën ju me siguri nuk keni pasur njohuri për të gjitha këto.

“Mediat janë të mbushura me modele femrash të cilat më së shumti nuk janë reale dhe tërheqshmëria, vlefshmëria dhe suksesi i të cilave krahasohet me pamjen fizike dhe tërheqshmërinë seksuale të tyre. Ndikimi i tyre, posaçërisht i yjeve muzikorë, është i theksuar që në moshën parashkollore, kur vajzat fillojnë t’i imitojnë, kurse intensifikohet në moshën e adoleshencës, gjatë së cilës krijohet identiteti, kurse pamjet e dëshirueshme dhe të pranueshme të feminitetit mund në këtë proçes të kanë rol të rëndësishëm”, shpjegon Sanja Ivanusheviq. Pikërisht ky ekspozim ndaj mediave është shkak i rëndësishëm për formimin e kompleksit – është vështirë ti shpjegohet vajzës se gra të tilla nuk ekzistojnë, se feminiteti i tyre është i paraqitur në mënyrë joreale dhe se këto vlera nuk janë aspekte të vetme të personalitetit të dikujt, por gjithsesi duhet të ngulmoni në këtë.

Bazë e mirë për jetë

A është ende e mundur të edukosh një vajzë për ta dashur veten dhe të jetë e kënaqur me pamjen e saj dhe për ti dhënë një bazë të mirë të brendshme për jetën e saj të mëvonshme, sidomos në botën e sotme mediat e të cilës janë hiperseksualizuar, me theks në trup? Rrethi kryesisht do ti pengojë prindërit dhe gjatë edukimit duhet në njëfarë mënyre ti kundërshtojnë. Por çdo prind, para se gjithash, duhet ta dijë se faza të pakënaqësisë dhe pasigurisë te fëmijët megjithatë duhet të ekzistojnë. Pasiguria është pjesë përbërëse e jetës, diçka me të cilën mësohemi të jetojmë, kurse në sasi të vogla na mundëson ti kontrollojmë opsionet dhe të marrim vendimet më të mira. Me rëndësi është ta dallojmë momentin kur pasiguria bëhet problem. Zakonisht është kur na pengon në diçka që është e rëndësishme apo ndikon në mirëqenien dhe shëndetin tonë ose shkakton vuajtje – si ne poashtu edhe të tjerëve. Me rëndësi është të zbulohet kjo te fëmija yt. Dozë më e madhe e kujdesit nevojitet në periudhat e ndryshimeve më të mëdha në jetën e fëmijës, si për shembull gjatë adoleshencës, kur trupi intenzivisht ndryshon. Atëherë prindët duhen të janë shtyllë për fëmijët. “Fëmijën mund ta ndihmoni nëse e dëgjoni me sinqeritet dhe rrespekt dhe ta kuptoni me seriozitet problemin”, këshillon Sanja Ivanusheviq.

Shumë i rëndësishëm, si gjithmonë kur bëhet fjalë për fëmijët, është shembulli i vetë prindërve dhe vlerësimi i tyre i bukurisë dhe pamjes fizike. Qëndrimet e tilla fëmijët i thithin që në vegjëli. “Nëse për prindët pamja është e rëndësishme dhe përmes saj i vlerësojnë të tjerët, kështu do ti vlerësojnë edhe fëmijët e tyre, kurse fëmijët vetëveten. Nëse vlerësimet e prindërve janë të tilla që përqendrohen në shkathtësinë, kreativitetin, përpjekjet dhe aftësinë të cilat nuk janë ekskluzivisht të lidhura me pamjen, të tilla do të jenë modelet për fëmijët e tyre “, përfundon psikologia.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme