PDK-ja në Prishtinë më shumë u mobilizua për Abrashin sesa për Çelajn

00:40 | 25 Nëntor 2017
Trina Galanxhi

Deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu në Interaktiv të KTV-së ka thënë se në balotazh LDK-ja e PDK-ja kanë pasur një marrëveshje të fshehtë për Prishtinën.

Ai më tutje ka shtuar se një marrëveshje për përkrahje reciproke LDK-PDK, ka ndodhur edhe për Prizrenin.

“PDK-ja më shumë është mobilizuar për Arban Abrashin në balotazh, se për Lirak Çelajn në raundin e parë. Ka një lidhje, Prishtina për LDK-në, e Prizreni për PDK-në”, ka thënë ai.

Ai më tutje ka folur për rinumërimin në Prishtinë, duke thënë se aty nuk asnjë bazë për një gjë të tillë.

“Vullneti i qytetarit nuk duhet të shtrembërohet për pazare politike. 3 mijë persona kanë qenë në kontrollim gjatë zgjedhjeve dhe nuk kanë pasur asnjë ankesë. Rinumërimi bëhet kur ka parregullsi por jo për krejt qytetin. LDK-ja me të parë që humbja është e paevitueshme në Prishtinë dërgoi një kërkesë në PZAP që kinse për shkak të fletëvotimeve të pavlefshme dhe të zbrazura duhet të rinumërohen votat. Nuk ka pasur asnjë ankesë nga asnjë parti, apo akterëve tjerë të zgjedhjeve. Dhe kjo është qesharake. Gjyqtari kërkon rinumërim edhe për votat me kusht e ato të diasporës, e ato nuk janë numëruar asnjë herë. Fletëvotime të zbrazura kanë dalë vetëm 32 e jo mbi 400 siç thotë LDK-ja”, shprehet Sejdiu.

Sejdiu ka shtuar se, “nëse çdo gjyqtar e vendos që të çojë çdo qytet në rinumërim, atëherë aty s’ka demokraci”.

Ai ka akuzuar gjyqtarin Hasan Shala që ka bërë një gjë të tillë pa fakte.

“Hasan Shala protagonist në aferën Pronto, ka marrë vendim që të shkohet në rinumërim nga një letër e shkruar nga një komisiner i PDK-së, i cili kishte deklaruar dy ditë më vonë se ka parë që dikush kishte fotografuar votën. Dhe në bazë të kësaj PZAP-ja ka vendosur që edhe Prizreni të shkojë në rinumërim. Komisioneri ka treguar se ai këtë letër e ka shkruar nën presion”, thotë Sejdiu, raporton Koha.

Sejdiu është optimist se Gjykata Supreme do të anulojë vendimin e PZAP-së për rinumërim të votave.

“Jam optimist edhe në vendim të drejtë edhe në atë të shpejtë. Gjykata Supreme duhet që të kërkojë të anulojë vendimin e PZAP-së, dhe të vazhdohet me numërimin e votave me kusht, ndryshe është edhe jo ligjore, edhe jo logjike. Ato fletëvotimet e zbrazura mund të jenë edhe protestë e qytetarëve, por nuk janë mbi 400 por vetëm 32. Nuk po frikohemi prej rinumërimit. Këta shtetin nuk e shohin si vend për të gjithë por vetëm për ta. Do të shohim se si do veprohet, nuk duhet të preket asnjë votë. Kam besimin se Gjykata Supreme do të veprojë shpejtë”, është shprehur Sejdiu.

Të ngjashme