Google ADS

Fatmir Limaj dhe katër të tjerët shpallen të pafajshëm në rastin “MTPT”

15:24 | 24 Nëntor 2017
Arbresh.info

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn dhe katër të tjerët të akuzuar në rastin ‘MTPT’.

Ish-ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit Limaj dhe të tjerët ishin të akuzuar për 6 pika, nga të cilat janë liruar, ndër to kyçe, ajo për krim të organizuar, për marrje ryshfeti dhe për shpërdorim të detyrës zyrtare, shkruan arbresh.info.

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore ku po zhvillohet seanca e aktgjykimit ndaj Limajt dhe katër të tjerëve ka konstatuar se nuk ka prova që dëshmojnë se ata janë të përfshirë në veprat për të cilat janë akuzuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzën e konsoliduar më 28 shtator 2015, me anë të së cilës janë bashkuar dy aktakuza të mëparshme të rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2.

Aktakuza e parë ishte ngritur me datë 05 dhjetor 2012, ndërkaq aktakuza e dytë më 19 shkurt 2014 dhe për të dyja janë mbajtur dy shqyrtime fillestare.

Mirëpo me vendimin e 30 majit 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues këto dy raste janë bashkuar në një, duke ngritur një aktakuzë të cilën e kanë quajtur aktakuzë e konsoliduar.

Pas këtij vendimi, të dyja palët kishin dërguar ankesat e tyre dhe në bazë të ankesave Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2014 kishte vendosur që ai vendim nuk mund të ankimohet sepse është vendim i prerë.

Aktakuza e konsoliduar i ngarkon të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpëtim Telakun për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të akuzuarin e fundit Florim Zukën për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.

Përveç këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet po ashtu edhe për veprën mos deklarim i parave për fushatë./arbresh.info/

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/1606681582730261/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme