Haradinaj kërkon nga Prokuroria zbardhjen e vrasjeve politike

19:11 | 23 Nëntor 2017
M. A.

Kryeministri i Kosovës, ka pasqyruar në profilin e tij në Facebook, ftesat që u ka dërguar Prokurorisë, Policisë e AKI-së, për t’u angazhuar për të ndriçuar rastet e vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, kam kërkuar nga Prokurori i Shtetit, Policia e Kosovës dhe Agjencioni Kosovar i Inteligjencës, që në kuadër të mandatit të tyre, të angazhojnë të gjithë mekanizmat për ndriçimin e plotë të vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës, përmes kërkesës më poshtë”, ka thënë Haradinaj.

Një kërkesë të tillë e kishte bërë edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi në tetor të vitit të kaluar. Ai i kishte dërguar katër letra Prokurorisë së Shtetit për të hetuar të gjitha krimet e rënda të ndodhura gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Kishte dalë në konferencë me gazetarë për të thënë se pas kalimit të përgjegjësive nga institucionet ndërkombëtare te ato vendore, ka ardhur koha që të zbardhen të gjitha krimet e ndodhura.

Presidenti Thaçi kishte thënë se ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të hetojë dhe të zbardhë të gjitha masakrat dhe vrasjet gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, hetimin e përdhunimeve gjatë luftës dhe shkatërrimin e objekteve kulturore dhe fetare. Ai tha se disa nga këto krime janë trajtuar nga organet ndërkombëtare të drejtësisë por sipas tij asnjëherë nuk e kanë marr përgjigjen e merituar dhe se qytetarët dhe shoqëria në Kosovë kanë nevojë për drejtësi.

Thaçi besonte se zbardhja e këtyre krimeve do të forconte besimin e të gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtare në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Edhe më shumë se 17 vjet nga përfundimi i luftës shumë qytetarë kërkojnë zbardhjen e krimeve të ndodhura gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme